E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e 9 janarit, vendimi ekstrem

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Dy prej grevistëve të urisë për zbardhjen e tragjedisë së 9 janarit në Vlorë kalojnë në ekstremitet. Asnjë komunikim jashtë dhomës së grevës e asnjë ndihmë mjekësore nga bluzat e bardha. Vendimi i Gjykatës së Apelit në Vlorë për rikthimin e hetimit të dosjes së tragjedisë në vend që t’i çonte ata në braktisjen e grevës ka qenë një disfatë tjetër. Nga katër grevistë, Ndoc Bjeshka dhe Mark Grizha janë të vetmit që do të vazhdojnë grevën, pasi dy të tjerët, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore janë detyruar nga familjarët ta braktisin atë. Sipas dy grevistëve, ata do të ndërpresin çdo kontakt me botën që i rrethon duke u ngujuar në ambientet e grevës deri në fund. Paraditen e djeshme, kur greva kishte hyrë në ditën e 19-të të saj, në prononcimin e fundit për mediat, Ndoc Bjeshka ka shprehur se kërkesat e tyre të vetme kanë qenë gjetja e eshtrave të së afërmve të tyre, si dhe rihapja e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. “Por me aq sa mësuam dhe me vendimin e Gjykatës së Apelit ditën e martë në Vlorë, nuk u arrit as njëra dhe as tjetra dhe për këtë, për ne ka vetëm një shkaktar. Ajo është prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Ajo ka qenë shkaktarja e bllokimit të rihetimit të kësaj çështjeje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Tani ne vendosëm që të ndërmarrim një vendim të tillë sublim, pasi u ndjemë të tradhtuar nga strukturat e shtetit”. Ndërkohë, kanë shprehur falënderim për pasqyrimin me realitet të qëllimit të grevës në media dhe për politikanët që i kanë vizituar e u premtuan mbështetje. Grevisti i dytë, Mark Grizha është shprehur se: “Tani ne nuk kemi pikë dyshimi dhe e kemi fare të qartë se kanë qenë pushtetarët e janarit 2004 ata të cilët ma kanë varrosur djalin tim, Gjin Grizha së bashku me nusen e tij Ermirën shtatzënë, në gadishullin e Karaburunit. Janë po ata persona që akoma edhe sot e kësaj dite, jo vetëm nuk po lejojnë të rifillojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, por ata nuk po na e tregojnë vendin se ku i kanë varrosur të afërmit tanë”. Përfaqësuesi ligjor i familjeve të tragjedisë së 9 janarit, Dodë Mehmetaj si dhe kryetari i shoqatës, edhe pse janë munduar që t’i bindnin grevistët për ndërprerjen e saj pas vendimit të Apelit, nuk ia kanë arritur dot. “Tani jeta jonë nuk ka fare kuptim, përderisa nuk ishim në gjendje të gjenim eshtrat e fëmijëve tanë e të kërkonim drejtësi për një tragjedi të ndodhur vetëm 7 milje larg bregut të detit shqiptar”, shprehen grevistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›