E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalaja e Kaninës është një objekt i rëndësishëm në funksion të turizmit

Kalaja e Kaninës, një kala me origjinë ilire e pushtuar në vitin 234 para Krishtit, nga romakët rreth 5 km larg qytetit të Vlorës, i është nënshtruar një projekti rehabilitues, i financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Projekti parashikon rindërtimin e mureve në pjesët e dëmtuara dhe pastrimin e territorit të brendshëm nga disa objekte të ndërtuara pa leje vite më parë, duke synuar evidentimin e vlerave të këtij objekti me mjaft rëndësi dhe vënien e tij në funksion të zhvillimit të turizmit. 

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Ymer Yzeiri, thotë se "kalaja e Kaninës, ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e turistëve të huaj , ndërkohë që tani vihet re një rritje e vizitave në këtë kala pas përfshirjes së saj  axhendën e agjensive turistike".  Në kalanë e Kaninës, në majë së kodrës të çon një rruginë e ngushtë, e shtruar pjesërisht me kalldrëm, e cila devijon nga rruga e rikonstruktuar që lidh Vlorën me fshatin Kaninë. Nga lartësia e kësaj kodre, 5 km larg Vlorës, kalaja duket sikur i bën roje qytetit që, shtrihet teposhtë. Ndoshta për këtë arsye, themeluesit dhe ndërtuesit e saj, kanë menduar ta ngrejnë këtë fortesë në një pikë ku, krahas sigurisë nga sulmet e armiqve, të krijonin hapësirën e nevojshme të vëzhgimit të detit.

Historianët e përfshijnë këtë kështjellë, mes objekteve më të rëndësishme në rrethin e Vlorës. Kalaja e Kaninës, është ndër ato objekte historike me vlera ku, muret dhe infrastruktura nxisin kureshtjen vizitorëve. Zanafilla e saj, shtyhet tutje në historinë e lashtë kur, sipas historianëve, banorët e parë kanë qenë pjestarë të fisit të njohur të amantëve. Ata u vendosën këtu, diku në shekullin VI para Krishtit. 

Kalaja me origjinë ilire u pushtua në vitin 234 para Krishtit, nga romakët, të cilët qëndruan këtu deri në periudhën e ndarjes së Perandorisë në atë të Lindjes dhe të Perëndimit.  Pas kësaj, kështjella mbeti nën zotërimin e Bizantit. Më tej kaloi në pronësi të fisit të njohur të Balshajve dhe më vonë, nën atë të Gjergj Arianitit. Në vitin 1417, kalaja u pushtua nga turqit. Por, kalimi nën pushtimin osman nuk u realizua lehtë dhe menjëherë. Kjo, për arsyen se, Republika e Venedikut kishte pretendime mbi këtë kështjellë, ashtu sikundër edhe ndaj Vlorës. Bashkëshortja e Gjergj Arianitit ishte shpallur qytetare nderi në Republikën e Venedikut dhe, sipas një akti detyrues, pas vdekjes së Arianitit, kësaj republike i lindnin të drejta pronësie mbi pronat e tij. Në këto kushte, mes turqve dhe venedikasve u zhvillua një betejë e madhe dhe e ashpër që, nuk njohu fitues dhe të humbur.

Në arkitekturën e kalasë, ndihen mjaft ndikime të stilit venecian. Kjo, nga historianët argumentohet me lidhjet që ekzistonin me fqinjët e përtejdetit. Për herë të parë në vitin 1200, në këtë kështjellë përmendet edhe emri i Kastriotëve, ndoshta për shkak të identitetit të ndonjë prej kështjellarëve. Sipas dokumentave të ndryshme, me origjinë nga perandoria turke, bëhet e ditur se, në vitin 1620 ajo u vizitua nga kronikani i njohur turk Evlia Çelebi. Thuhet se ai u mahnit nga pozicioni i kështjellës, terreni ku ngrihej dhe hapësira e pamatë që i ofrohej cdo vizitori.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›