E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: “Edi Rama pas disfatës në zgjedhje imiton me donkishotizëm Sllobodan Millosheviçin”

Partia Demokratike i kërkon kreut të PS-së të heqë dorë nga kërcënimet, të pranojë humbjen dhe të japë dorëheqjen


Partia Demokratike reagoi dje ndaj valës së kërcënimeve të Partisë Socialiste, lidhur me vendimet institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, u shpreh dje se Edi Rama dhe vetë zëdhënësit e tij në vend, duhet që të pranojnë humbjen dhe të mos kalojë trillimi në trillim nga kërcënimi në kërcënim. “Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të heq dorë nga presionet dhe kërcënimet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor, të pranojë humbjen dhe verdiktin e qytetarëve shqiptarë”, tha zëdhënësja e selisë së PD-së, duke shtuar se “i rikujtojmë Edi Ramës se në rajonin e Ballkanit ka pasur vetëm një politikan, i cili pas çdo disfate deklaronte se ndihej më i fortë se kurrë dhe ky ishte Sllobodan Millosheviç. Çdo imitim i tij është një donkishotizëm”, tha ajo. Duke i bërë thirrje Ramës që të vetëpërmbahet, të pranojë rezultatin në zgjedhje dhe të japë dorëheqje, zëdhënësja e PD tha se shqiptarët votuan për projektin e Shqipërisë Evropiane dhe jo kartën e Edi Ramës. “Koha është e shqiptarëve e atyre që votuan për projektin e Shqipërisë Evropiane, më të madhin projekt në historinë e këtij vendi dhe e atyre që për arsye të ndryshme nuk votuan kartën e Edi Ramës. Nga zgjedhjet nuk ka të humbur ndërsa përpjekja për të shkelmuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë është thjesht përpjekje maskarenjsh”, u shpreh më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike. Në kuadër të rezultateve zyrtare nga KQZ dhe ndarjes së mandateve, Partia Socialiste ka riaktivizuar hienat e sulmeve ndaj institucioneve kushtetuese, që kanë të bëjnë me vendimmarrjen për procesin zgjedhor. Edi Rama, i ndodhur në gjendje kolapsi dhe i siluruar nga të gjithë në PS dhe jashtë saj, organizon konferenca shtypi dhe vjedh vrer, për vullnetin e lirë të shqiptarëve, të cilët rikonfirmuan Partinë Demokratike dhe kryeministrin Sali Berisha në krye të qeverisë, për katër vitet e ardhshme. Partia socialiste paralajmëroi dje nisjen e një vale të fortë protestash popullore, nëse keq-administrohet procesi i numërimit të votave në Fier, ku ajo pretendon mandatin e nëntë, për këtë qark. Kreu i selisë rozë Edi Rama, i ndodhur në siklet të jashtëzakonshëm si pasojë e akuzave që rëndojnë mbi si shkaktari kryesor i dështimit të së majtës në zgjedhje, po mundohet t’u bëjë karshillëk xhaketave të vjetra në PS dhe jashtë saj, për fillimin e protestave mbarëpopullore, si alibi, për të justifikuar humbjen dhe për të qëndruar në krye të PS. Rama u deklarua sërish kundër koalicionit Berisha - Meta. Ai akuzoi kreun e LSI Ilir Meta dhe atë demokrat Sali Berisha si hartuesit e një skenari, që mashtroi shqiptarët, duke u vjedhur votat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›