E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, Kina e vogël e Ballkanit

Letër e hapur */ Ju shkruaj nga …Tirana

Nga  Michel Godet, Profesor në Cnam dhe Francis Mer, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave

Shqipëria është vendi më i varfër i Evropës Perëndimore me të ardhura për frymë prej 2500 eurosh në raport me PBB, d.m.th., 12 herë më pak se në Francë. Ky vend i izoluar për një kohë të gjatë nga pjesa tjetër e botës ka një nam të keq dhe realiteti i tij i thellë mbetet pothuajse i panjohur. Në vendin e shqipeve dominojnë malet (ato përfaqësojnë 70 për qind të territorit dhe majat e maleve të mbuluara me dëborë i kalojnë 2000 metrat).  Megjithatë “kjo Korsikë e Adriatikut” ka shumë kilometra brigje ndër të cilat Riviera e Jugut, përballë Korfuzit, e cila është ende e virgjër. Është për të ardhur keq që Klubi i Mesdheut heziton të instalohet pranë Sarandës, në një gji rëre pranë qendrave të jashtëzakonshme të antikitetit, si Butrinti, një vend unik i cili është i lakmueshëm. 

Kantiere të mëdhenj
Mbeturina dhe mijëra karroceri të vjetra makinash të hedhura pa kriter që e prishin   peizazhin shkojnë në kundërshtim me një vend i cili dëshiron të luajë kartën e natyrës dhe të bujqësisë biologjike. Vërtet që malet mbi të cilat ne fluturuam janë ruajtur. Por si të zhvillohet një turizëm cilësor dhe me vlera nëse plazhet janë të ndotura dhe nëse qëndrimet e individëve të veçantë nuk pajtohen me interesin e përgjithshëm dhe me  qytetarinë?
Atje ka pra kantiere të mëdha për trajtimin modern dhe riciklimin e mbeturinave. Ç’presin atëherë ndërmarrjet tona për t’u vendosur në këtë vend, elita e të cilit është frankofile?
Edhe infrastruktura mjedisore mbetet për t’u rishikuar plotësisht. Grupet tona të ndërtimit dhe të punëve publike do të gjenin atje tregje ndërtimi dhe infrastrukture që duhen shfrytëzuar, por ata janë pothuajse të papranishëm. Frëngjishtja ka qenë për një kohë të gjatë gjuha kryesore e huaj që mësohej në shkolla. Çfarë pret qeveria për të gjetur disa dhjetëra mijëra euro për të hapur një lice francez në Tiranë dhe për ta zhvilluar Aleancën franceze në vend?

Krah pune konkurrues fare pranë
Shqipëria është një shans për industrialistët e Evropës të cilët  përballen me konkurrencën e vendeve të largëta me kosto të ulët.  Shqipëria mund të bëhet një Kinë e vogël përsa i përket krahut të saj  konkurrues të punës.
Shqipërinë  e cila për  një kohë të gjatë ka qenë e mbyllur, e kemi në derë, vetëm tre ditë udhëtim me makinë na ndan prej saj.
Gazmend Toska, një industrialist franko-shqiptar, inxhinier tekstil, nga Berati, qytet i vogël ku kinezët kishin ndërtuar në vitet ’60 kombinatin e madh “Mao Ce Dun” që përdorte si lëndë të parë  pambukun vendas të një cilësie të dobët, na tregon se ky kombinat  kishte të punësuar 12 000 vetë në  kushte të vështira pune që mund të krahasohen me ato të  kohës së Zola-së. Tani ky aktivitet është braktisur plotësisht. Por Gazmend Toska ka besim te vendi i tij. I formuar në Francë, ai dha prova pranë “Rhône-Poulenc”, pastaj ringriti disa ndërmarrje tekstile të cilat ishin në vështirësi në veri dhe në krahinën e Vosges. Një motër e tij ka qëndruar në Berat ku po merret me drejtimin e shoqërisë “Marlotex” e cila  filloi me disa makina qepëse në një garazh dhe punon sot, si filial i një kompanie franceze në La Bresse, për prodhimin e konfeksioneve prej poliesteri dhe pambuku (mbulesa krevash, tavolinash si dhe  bluza për personelin e spitaleve). Shoqëria “Marlotex” ka sot 70 të punësuar.

Opsion liberal
Gazmend Toska jep e merr që prej tre vjetësh me burokracinë e vendit të tij për të marrë një pjesë të kombinatit të shpërbërë dhe për të krijuar atje 250 vende pune. Prezantimi i tij është impresionues: kosto për orë pune me gjithë taksat nuk i kalon 1.1 euro në një vend ku punohet 48 orë në javë dhe 2250 orë në vit (kundrejt 1530 në Francë). Pra kostoja vjetore e një të punësuari është 2500 euro, d.m.th., 10 deri 12 herë më pak së në Francë për një krah pune të kualifikuar dhe të motivuar. Është për të ardhur keq për vonesën për sa i përket mbrojtjes sociale (mungesat në punë për sëmundje nuk paguhen gjithnjë) por kjo vonesë do të kapërcehet me zhvillimin e vendit të Shqipeve i cili sapo ka hyrë në NATO dhe po troket në derën e Evropës ashtu si dhe fqinjët e vet të Ballkanit. Ndërkohë Shqipëria është më konkurruese se sa Tunizia dhe sidomos sesa Kina. Kostot e transportit dhe nevoja për të fabrikuar me porosi produkte në sasi të vogla në përputhje me standardet evropiane, kërkojnë furnizues më të afërt me kosto të ulët.
Pra, me fjalë të tjera ne jemi optimist për këtë vend. Kryeministri i tij, te cilin e pritëm për drekë me Jacques Marseille dhe Gasmend Toskën, ka besim në të ardhmen. Ky liberal i bindur ka ndërmend të mbajë një taksë të sheshtë prej 0 për qind dhe të zhvillojë infrastrukturat rrugore dhe energjetike brenda tre vjetësh. Ai ka arritur të shkurtoje shpenzimet operative me 40 për qind këto vitet e fundit dhe ka shprehur preokupim për pabarazitë e krijuara në fushën e arsimit që prej rënies së regjimit komunist.  
Shqiptarët  kanë vuajtur mjaft, dhe më në fund Evropa mund t’i ndihmojë ata në rrugën e  demokracisë dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Kina e vogël e Ballkanit është gjithashtu një shans për të sjellë në këtë vend ndërmarrje të cilat janë aktualisht shumë larg konsumatorit.   

* “Le nouvel  Economiste”,  nr. 1482 (Nga 25 qershor në 1 korrik  2009 – e përjavshme)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›