Kalaja e mbyllur deri në zbardhjen e incidentit

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) bëri të ditur se Kalaja e Shkupit do të jetë e mbyllur për vizitorët deri në zgjidhjen e incidentit të 14 shkurtit.
Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska deklaroi se Kalaja do të mbetet e mbyllur për opinionin më të gjerë dhe vizitorët derisa do të ketë zgjidhje gjyqësore incidenti midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të ndërtimit të një kishe-muze.
Më 14 shkurt në Kalanë e Shkupit u përleshën të rinj shqiptarë dhe maqedonas, lidhur me ndërtimin e një kishe-muze nga ana e Qeverisë. Janë mbi 60 persona ndaj të cilëve po zhvillohen hetime për pjesëmarrje në incident, në mesin e të cilëve është edhe kreu i Lëvizjes "ZGJOHU !", Artan Grubi.
“Para disa javëve patëm një kërcënim serioz për rendin publik dhe qetësinë në Kala dhe vendimi ynë taktik është që për një periudhë të caktuar është e nevojshme që të ketë lëvizje të kufizuar për shkak të shmangies së incidenteve të mëtejshme. Bëhet fjalë për një vlerësim për siguri, e cila do të jetë në fuqi deri në ndriçimin e plotë të incidentit", deklaroi ministrja Jankullovska. (INA)