Bora paralizon Greqinë

Moti i keq ka shkaktuar mbylljen e shumë shkollave në Greqi si dhe ka shkaktuar probleme në qarkullimin e trafikut rrugor dhe detar dhe ndërprerjen e energjisë elektrike edhe në Athinë, ku monumenti kryesor, Partenoni, u zgjua i mbuluar nga një pëlhurë e bardhë.
Punonjësit e transporteve publike kanë pezulluar një grevë kombëtare 24 orëshe, kundër politikës së masave të shtrëngimit ekonomik të qeverisë, për të mos rënduar situatën tepër të vështirë për shkak të reshjeve të dëborës dhe të erërave që po fryjnë në pjesën më të madhe të vendit.
Probleme me furnizimet me energji elektrike ka pasur kryesisht në ishuj.
Në kryeqytet dhe në zona të tjera janë regjistruar kryesisht probleme me trafikun rrugor me bllokime të forta të disa autostradave.
Rrëzimi i shumë pemëve ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në rajonet periferike të qytetit.