Kalaja e zbrazët
Edmond Tupja
Para se të hyj në temë, dëshiroj t’i kërkoj ndjesë lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm që, para një jave, nuk e informova se titullin e shkrimit tim të asaj dite, “Shporta me karavidhe”, ma kishte frymëzuar titulli i një pjesë teatrore të shkrimtarit Spiro Çomora, ku, dekada më parë, viheshin në lojë anëtarët e kryesisë së një partie politike, të cilët, ashtu si delegatët në kongresin e fundit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, përpiqeshin, sigurisht në kuptimin jo kanibalesk, t’i hanin kokat njëri-tjetrit.
Nëse po rimarr sot, deri diku të paktën, të njëjtën temë, kjo ndodh sepse, dita-ditës e gati nata-natës, sa vjen e po më forcohet përshtypja që Partia Socialiste e Shqipërisë, kjo “kala” gjithmonë e më e ngjashme me një shportë karavidhesh, po jep shenja se ka nisur të zbrazet nga lënda e vet e qenësishme, se hemorragjia që ka zënë fill para zgjedhjeve të 28 qershorit do të vazhdojë dhe se kjo “kala”, po e përsëris, variant në mutacion (oh, tri germat e para të kësaj fjale!) i “kalasë së pamposhtur” të quajtur dikur Parti e Punës së Shqipërisë, do ta gërryejë vetveten deri sa ta shohë atë të zbrazur nga vetë brumi, magma, përmbajtja e saj fillestare, tashmë në lëvizje brauniane.
Që të mos i kërkoj sërish ndjesë javën e ardhshme lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm për titullin e shkrimit të sotëm, po i them se këtë titull, pra, “Kalaja e zbrazët”, ia kam huazuar psikanalistit Bruno Bettleheim, i cili ka cilësuar si të tillë një kategori të veçantë të sëmurësh mendorë, ata që vuajnë nga sindroma e autizmit. Bëhet fjalë për një sindromë që e njoh mirë, meqenëse im bir i vogli vuan pashërimisht prej saj. Tipari kryesor i kësaj sindrome është mbyllja, e plotë ose e pjesshme, e individit në vetvete, shkëputja nga koha, hapësira dhe situata konkrete, gjallimi në një realitet të sunduar, rrjedhimisht të përçudnuar, nga mendimi dereal që e pengon individin, krejtësisht ose pjesërisht, të vendosë e të mbajë marrëdhënie me individët e tjerë të shoqërisë. E ngatërruar për një kohë të gjatë me skizofreninë, kjo sindromë, pra, autizmi, shfaqet si një keqqenie që e zbraz individin nga vetvetja duke e mbyllur pikërisht në një “kala të zbrazët”. Kjo sindromë e kërcënon sot haptas Partinë Socialiste të Shqipërisë, këtë avatar autik të PPSH-së. Për hir të një të vërtete historike shumë të dhimbshme, duhet pranuar se, për 45 vite rresht, PPSH-ja, me izolimin e plotë e të përsosur të vendit, e zhyti Shqipërinë pikërisht në autizëm dhe kur them “Shqipërinë” kam parasysh jo thjesht truallin, por njeriun shqiptar, sidomos njeriun e ri shqiptar, specien e rrallë homo albanicus, të cilin bëri çmos ta farkëtonte me përmasat e një autizmi social të mirëfilltë.
Nga ky autizëm social ende nuk është shkëputur përfundimisht njeriu i sotëm shqiptar, as i ri e as i vjetër, por që përpiqet me sa mundet ta rimarrë veten; nga ana tjetër, përshtypja ime – e cila po kthehet në bindje – është se në autizëm po kridhet Partia Socialiste e Shqipërisë dhe e ardhmja e saj, të paktën siç po rrokullisen ngjarjet në gjirin e vet, më duket tejet e zymtë: kryetari i saj po ndjek një strategji dhe disa taktika që po e kthejnë atë, partinë, në një kala të zbrazët, çka unë e deshifroj gati-gati si kronikën e një vetëvrasjeje të paralajmëruar.
Sidoqoftë, diçka më ngushëllon: më mirë, në fund të fundit, një kala e zbrazët me një prijës autik sesa një kala e mbushur me udhëheqës e ithtarë paranojakë e skizofrenë; më mirë një kala e zbrazët për fatkeqësinë e vetvetes, sesa një kala e mbushur deri në asfiksi për fatkeqësinë e mbarë një shoqërie, një populli, një kombi.