Shpresat, tri pikë me autogol
Shpresat marrin tri pikët e para të kualifikimeve për evropianin e 2011-ës. Autogoli i Guliyev në minutën e 63-të të pjesës së dytë i dha fitoren skuadrës sonë ndaj homologëve azerbajxhanas. Edhe një herë tjetër Shqipëria “e vogël” tregoi limitet e saja, edhe pse përballë kishte një skuadër shumë herë më modeste. Trajneri Artan Bushati u detyrua të hidhte në fushë një formacion disi të cunguar për shkak edhe të problemeve të minutës së fundit për Ditmar Bicajn dhe sulmuesin e vetëm të deklaruar të kësaj skuadre, Ahmet Januzi. Që të dy futbollistët patën probleme shëndetësore ndaj nuk mundën të ishin në dispozicion të trajnerit për këtë takim. I detyruar nga këto mungesa, Bushati hodhi në fushë dyshen Balaj-Hysa e ndihmuar nga fantazisti i kombëtares A, Emiliano Vila. Ky i fundit kaloi tek Shpresat vetëm për këtë takim duke ngritur mjaft tempin e lojës. Për t’u theskuar vlen fakti se dyshja e mësipërme rezultoi totalisht dështake aq sa Bushati iu desh të bënte ndryshime që në pushimin mes dy pjesëve. Me hyrjen e Roshit në fushë sulmet e skuadrës sonë u bënë më të shpeshta dhe në një nga këto të fundit, pas një gjuajtje të Erando Karabecit, topi u devijua nga futbollisti azerbajxhanas duke nxjerrë bosh portierin kundërshtar. Në minutat në vazhdim u pa qartazi se skuadra e Bushatit u vu në mbrojtje të rezultatit duke mos rrezikuar. Për t’u përmendur vetëm dy kundërsulme me autor Roshin, por pa mundur që të dyfishonte. Këto ishin tri pikët e para të Shpresave pas tre takimesh.