E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çamët-Greqisë: Duam varret për të rënët nga masakrat

Shoqata “Çamëria”, kërkon ndërtimin në Paramithi (Greqi) të një obelisku në përkujtim të masakrës së Paramthisë, në qershor të vitit 1944

TIRANË- Komuniteti çam që jeton në Shqipëri, ka mbetur i zhgënjyer nga inferioriteti që ka treguar kohët e fundit qeveria shqiptare në raport me qeverinë greke, duke mohuar ekzistencën e çështjes “Çame”. Megjithëse ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes me Greqinë për lejimin e ngritjes së dy varrezave të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si një hap në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, ky komunitet i organizuar në shoqatën patriotike, “Çamëria”, vlerëson si të turpshëm mospërfshirjen në këtë marrëveshje edhe të kërkesës së kësaj shoqate për të ngritur dy memoriale në kujtim të të rënëve dhe masakrave ndaj popullsisë çame në Paramithi dhe në afërsi të urës së Lumit Kalama në Greqi. Duke marrë shkas, pikërisht nga këto dy ngjarje, pra nga arritja e marrëveshjes së varrezave të ushtarëve grekë dhe nga deklarata e disa ditëve më parë e kryeministrit Sali Berisha, i cili e vlerësoi çështjen “Çame” vetëm të karakterit teknik dhe jo politike, apo historike, kryetariishoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, gjatë një komunikimi me mediat, ka kërkuar dje nga qeveritë e të dyja vendeve që të respektojnë të drejtat e njeriut edhe për këtë popullsi të zhvendosur me forcë nga trojet e tyre në Greqinë e sotme. “Duke mirëkuptuar kërkesën për respektimin e të rënëve grekë, u kërkojmë të sjellin në vëmendje të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë se duhet që, në marrëdhëniet dypalëshe, të kërkojë respektimin e parimit të reciprocitetit”, - u shpreh Ardian Tana në deklaratën e tij për shtyp. Ai ka bërë të ditur se shoqata që ai drejton, disa javë më parë, para se të arrihej marrëveshja me varrezat greke, i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë sonë të Jashtme që të përfshijë në diskutimet me palën greke edhe kërkesën për ndërtimin në Paramithi (Greqi) të një obelisku, në përkujtim të masakrës së Paramthisë (qershor 1944) dhe ndërtimin e një varreze përkujtimore pranë urës së Lumit Kalama në Greqi, aty ku prehen të rënët që mbetën të vrarë dhe nuk mundën ta kalonin atë urë gjatë genocidit mbi popullatën çame. Por, sipas tij, jo vetëm që Ministria e Jashtme nuk e përfshiu në këto negociata, por e fshehu atë, duke mos e bërë publike. Shoqata Çamëria i bën thirrje qeverisë shqiptare që të mos i shmanget kësaj çështjeje dhe të përfshijë në bisedime edhe këtë kërkesë, pasi siç vlerësojnë ata, nuk mund të ketë një standard të dyfishtë në respektin për të rënët gjatë luftës. “Në bisedime duhet të përfshihet patjetër kërkesa jonë dhe të marrë përgjigje sa më të shpejtë. Ne besojmë në drejtësinë e kërkesës sonë, sepse respekti për të rënët nuk duhet të jetë i ndryshëm, pavarësisht kombësive të ndryshme të të rënëve”, - tha Tana. Gjithashtu, çamët duke komentuar deklaratën e fundit të kryeministri Berisha, i kujtojnë atij se qeveria shqiptare nuk duhet të ketë frikë ta trajtojë problemin çam, jo vetëm si një çështje ekonomike, por edhe politike, historike apo edhe të të drejtave të njeriut. “Kërkojmë dhe besojmë se qeveria shqiptare, në të ardhmen, do të jetë më aktive në përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila nuk është një çështje vetëm teknike dhe ligjore, por mbi të gjitha është çështje e të drejtave të njeriut, çështje politike dhe historike. Si e tillë, ajo kërkon trajtimin shumëpalësh dhe angazhim të plotë të të gjitha strukturave shtetërore shqiptare, duke kërkuar të njëjtën gjë edhe nga strukturat shtetërore greke. Miqësitë ndërtohen mbi bazën e respektit reciprok, ndaj qeveria shqiptare duhet, në këtë rast, të kërkojë me këmbëngulje respektin e parimit të reciprocitetit në marrëdhënie me qeverinë greke”, - thuhet në deklaratën e shoqatës “Çamëria”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›