E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalendari, zbardhen sfidat e sezonit të ri të Superligës

Shorti Kampionati i 72-të Kombëtar starton më 21 gusht. Derbi Tirana-Dinamo, në javën e 7-të

Përfundimi i Botërorit 2010 ka filluar të mbushet pak nga pak me aktivitete kombëtare dhe kontinentale të futbollit. Një gjë e tillë ndodh edhe në Shqipëri, ku më në fund klubet e Kategorisë Superiore kanë njohur kalendarin e sezonit të ri 2010-2011 të Kampionatit të 72-të Kombëtar të Futbollit, i cili do të startojë më 21 gusht. Edhe ky edicion do të vijojë të luhet me 12 skuadra dhe me tri faza, dy të parat me sistemin vajtje-ardhje, ndërsa faza e tretë varet nga përfundimi i dy të parave. Në ceremoninë përkatëse, të organizuar nga FSHF-ja, kanë marrë pjesë presidentë dhe drejtues klubesh. Për përcaktimin e kalendarit është hedhur shorti, ku goglat u tërhoqën nga sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Erjon Bogdani, i asistuar nga shefi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku. Ky short ka përcaktuar si javë të parë çiftet Dinamo-Flamurtari, Besa-Skënderbeu, Teuta-Laçi, Shkumbini-Kastrioti, Vllaznia-Bylis dhe Elbasani-Tirana. Por për të parë derbin e parë sezonal, atë të kryeqytetit Tirana-Dinamo, sportdashësit shqiptarë do të duhet të presin javën e 7-të, ku bardheblutë do të jenë pritës, ndërkohë që ndeshja e kthimit në fazën e dytë do të zhvillohet në javën e 18-të me Dinamon mikpritëse. Ndërsa një tjetër përballje interesante do të jetë ajo mes Vllaznisë dhe Tiranës, të cilat do të sfidojnë njëra-tjetrën pikërisht në javën përmbyllëse të dy fazave të para (në javën e 11-të dhe të 22-të). Kampionati fillon më 21 gusht, ndërsa takimet, ashtu si edhe në sezonin e kaluar, do të ndahen në tri ditët e fundjavës, të premte, të shtunë dhe të diel. Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin edhe Presidenti i Elbasanit, Arben Laze, i sapodalë nga burgu, si dhe ajo e dy aksionerëve të Partizanit, Albert Xhanit dhe Paro Laçi, mes të cilëve ka kontradikta të thella, që edhe e kanë katandisur klubin e të kuqve në një gjendje kritike, e cila ende nuk po gjen një zgjidhje të mirëfilltë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›