E Shtunë, 31 Tetor 2026

Utreht ekzekuton Tiranën, eliminimi një formalitet

Europa League

Një Tiranë inekzistente është thjesht e pranishme në fushën holandeze gjatë “ekzekutimit” të saj. Utrehti e shkatërron 4-0 dhe nuk i lë aspak shpresë për në ndeshjen e kthimit një javë më pas në kryeqytetin shqiptar, pasi gjithçka duket se do të jetë thjesht një formalitet për të celebruar kualifikimin e sigurt të holandezëve, të garantuar që në ndeshjen e parë. Bardheblutë kanë qenë hija e vetvetes në takimin e luajtur dje në mbrëmje në stadiumin “Galdenvaard” të Utrehtit. Tirana, një javë më parë siguroi kualifikimin për në turin e dytë në fushën e hungarezëve të ZTE-së, ndërsa në tapetin e blertë dje është parë një skuadër krejtësisht e ndryshme në krahasim me atë 11-she ndaj hungarezëve, jo për emrat, pasi ishin të njëjtët, por për lojën e shfaqur, e cila ka qenë një zhgënjim total. Që Utreht nuk ishte një skuadër për t’u nënvlerësuar kjo dihet, por jo deri në pikën sa të turpëronte bardheblutë me këtë fitore të thellë, rezultat i një loje bindëse. Këmbëngulja e madhe e vendasve është kurorëzuar me golin e parë pas vetëm 8 minutash lojë me anë të Van Volfsvinkel. Reagimi i Tiranës mungon, ndërsa Utreht bombardon portën dhe brenda 3 minutash (27’ dhe 30’) gjen dy gola të tjerë: realizon sërish Van Volfsvinkel dhe Asare. Holandezët janë të papërmbajtshëm, dhe pse rezultati 3-0 thuajse e ka vendosur fatin e ndeshjes brenda 45 minutave të para. Bardheblutë e Starovës nuk zgjohen as në pjesën e dytë, pasi loja dominohet nga Utreht, i cili gjen dhe golin e 4-0 me Mentes (75’). Në të 85-ën portieri Ilion Lika i Tiranës del me karton të kuq (si rezultat i kartonit të dytë të verdhë), megjithatë minutat në vazhdim nuk ofrojnë asnjë ndryshim rezultati. Me këtë humbje të turpshme, Tirana është praktikisht jashtë Europa League, duke mos i lënë vetes vend as për një mrekulli në ndeshjen e kthimit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›