E Diel, 1 Nëntor 2026

Olimpiakosi shumë i fortë. Besa, lamtumirë para kohe

Kavajasit mposhten 5-0 në “Qemal Stafa” dhe janë praktikisht të eliminuar nga Europa League

Besa nuk mund të bëjë asgjë përballë Olimpiakosit. Me gjithë optimizmin e presidentit Bizhdili, gjigandët helenë ishin shumë të fortë dhe dukshëm më cilësorë se kavajasit. Fituesit e Kupës së Shqipërisë mposhten me rezultatin 5-0 në “Qemal Stafa”, duke i dhënë lamtumirën e parakohshme Europa League.

Grekët tregojnë menjëherë se kanë ardhur në Shqipëri për ta mbyllur praktikën e kualifikimit në turin e tretë eliminator, që prej ndeshjes në Tiranë. Në minutat e para, të besuarit e Evald Linen kanë rrezikuar dy herë me goditje këndi, ndërsa në të 19-tën është mesfushori spanjoll, Oskar Gonzalez, ai që zhbllokon rezultatin. Besa vuan goditjen, por kërkon të reagojë menjëherë, duke e ditur se vetëm një gol i shpejtë mund t’i jepte shpresa. Në të 25-ën është Osmani që provon për kavajasit pas një goditje dënimi të Raul Bravos ndaj brazilianit Dos Santos, por portieri Nikopolidis largon rrezikun. Kundërpërgjigja e grekëve nuk vonon dhe aksioni i tyre i shpejtë përfundon me Dudun që kërkon portën, por Shehi, i pozicionuar mirë, largon topin. “Gardiani” verdhezi nuk arrin të bëjë asgjë në minutën e 31-të, kur është sërish Oskar Gonzales ai që shënon: 27-vjeçari shfrytëzon vendosjen e gabuar të mbrojtjes së Besës dhe nga goditja e këndit e ekzekutuar nga Zairi e dërgon sferën në rrjetë. 45 minutat e para mbyllen me një goditje dënimi të Diogos për Olimpiakosin, që nuk gjen rrjetën dhe një goditje këndi të pashfrytëzuar për kavajasit.

Sapo nis fraksioni i dytë i ndeshjes, Besa merr edhe goditjen që mbyll virtualisht takimin. është mesfushori brazilian i ekipit helen, Dudu, ai që ngre shifrat në 0-3 për miqtë, kur kronometri tregon vetëm 47 minuta loja. Besa tenton dëshpërimisht të bëjë diçka, por e ka të pamundur të përballet si e barabartë me kualitetin e Olimpiakosit. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro nuk arrin të çajë mbrojtjen e skuadrës nga Pireu dhe tenton të rrezikojë vetëm me goditje këndi, por pa rezultat. Për këtë arsye, drejtuesi i stolit verdhezi kërkon t’i japë peshë repartit ofensiv dhe largon nga fusha Cikalleshin, i cili ia lë vendin Haxhibuliçit. E menjëhershme kundërpërgjigjja taktike e Linen, që largon nga fusha autorin e dy golave, Oskar Gonzales, duke hedhur në fushë një sulmues: 22-vjeçarin Konstantinos Mitroglou, që bën pjesë në orbitën e Kombëtares greke. Tekniku i Olimpiakosit kërkon ta fitojë sa më thellë përballjen e parë, në mënyrë që të mbajë të freskët lojtarët e tij për ndeshjen e kthimit në stadiumin “Karaiskakis” (të enjten e ardhshme, më 22 korrik). Lëvizja jep rezultat, pasi Olimpiakosi shënon edhe dy herë me qendër sulmuesin brazilian, Diogo (70’ dhe 83’), duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 0-5 dhe duke u dhënë grekëve kualifikimin formal.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›