Kaleshi: E kuqja lindi nga zjarri që dogji katundin
Ka pamjen e një Ainshtajni, është 78 vjeç dhe i pëlqen të pikturojë më së shumti koka njerëzish. Omer Kaleshi thotë se nuk është i fiksuar pas kokave të prera, por pas detajeve. Ato e shtyjnë atë të pikturojë koka pa fund, që siç shkruan Kadare “Duket sikur duan të japin një kumt e nuk e japin dot”. Dje, piktori ishte në Tiranë, për të marrë pjesë në prezantimin e antologjisë poetike “Fjala e “omerikeve”, ku 12 poetë nga disa vende të Evropës kanë shkruar poezi, frymëzuar prej veprave të tij. Bëhet fjalë për emra si Jacques Lacarrière, Laure Cambau, Özdemir Ince, Eftim Kletnikov, Ilhami Emin, Jordan Plevneš, Klime Korobar, Daim Iliazi, Ali Podrimja, Petraq Risto, Alket çani, Luan Rama, ndërsa lista plotësohet me tre ese të Gil Jouanard.
Libri përmban edhe shumë riprodhime të pikturave të Kaleshit, të cilat qëndrojnë krahas shkrimeve që ato kanë frymëzuar. Përmbledhja e materialeve është bërë nga studiuesi Luan Rama, sipas të cilit “ky libër është një kumt poetik për krijimtarinë shumëvjeçare të Omer Kaleshit, këtij piktori që me itenerarin e jetës së tij përfaqëson katër vende: Shqipërinë, Maqedoninë, Turqinë dhe Francën”. “Me të gjithë mua më lidh diçka. Unë kam lindur në Maqedoni. Gjyshja nga babai është nga Mati, ndërsa nëna me origjinë maqedonase dhe ne në shtëpi kemi folur gjithnjë shqip. Katundi ku unë kam lindur ka qenë i gjithi me shqiptarë. Akademinë e kam kryer në Stamboll. Nëse do të kisha ndenjur në Maqedoni, nuk besoj se do të isha bërë piktor. Unë punoja në një central elektrik dhe sot do të isha elektriçist. Nuk e njihja as vendin dhe as gjuhën dhe bëra një udhëtim të gjatë nëpër Turqi për t’u njohur me kulturat, me dervishët, çobanët, filozofët vendas. Kështu që kam diçka nga të gjitha këto vende”, thotë piktori. Në pikturat e kaleshit të bien në sy portrete, apo më saktë koka. “Kur një pikturën time ia çuam një artisti francez, ai tha se duken si koka të prera. Unë nuk jam i fiksuar pas kokave të prera, ndaj më vonë jam përpjekur që t’i vesh ato. Ajo çka mua më tërheq është detaji dhe mundohem që në pikturën time të paraqes detajet e fytyrave, të dervishëve, çobanëve, etj”. Sa i përket ngjyrave, ai është i kursyer. Përdor më së shumti të kuqen dhe të zezën. “Kur isha i vogël në katund ra një zjarr i madh, që përfshiu shtëpi e bagëti. Nga zjarri lindi e kuqja ime, pastaj kur pashë edhe të kuqen e Onufrit e forcova edhe më tepër. E zeza ka lindur po në atë zjarr. Ne fëmijët me shkopinj e përzienim shkrumbin, i cili në dukje ishte i zi, por poshtë lindte e kuqja”, tregon piktori, i cili ia ka kushtuar gjithë jetën e tij pikturës. Nuk ngriti një familje për të qenë vetëm me të, i mbyllur në atelie, madje edhe pa modele. Edhe kur ka pikturuar nudo, modelet nuk kanë qenë në kokën e tij. Kaleshi jeton në Paris, por asnjë peizazh apo arkitekturë franceze nuk duket në punët e tij. Gjithçka rrjedh nga e kaluara.