E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare:Të hapen arkivat, aty është e vërteta



DOMENICO QUIRICO*

“Për t’u çliruar me të vërtetë nga e kaluara autoritare, Shqipëria ka nevojë për të vërtetën, për kurajon që deri tani nuk ka pasur, të hapë arkivat, të mos kërcënohet nga alibia e një hakmarrjeje të mundshme”. Kështu është shprehur shkrimtari Ismail Kadare, të cilit, shtëpia botuese, “Fandango”, në Itali sapo i ka publikuar romanin “Përbindëshi” (“Il Mostro”), shkruar në vitet e diktaturës komuniste. Nga Parisi, ku fitoi azilin vite më parë, ai tregon hapat e vështirë të vendit të tij për t’ju bashkuar Evropës.
“Përbindëshi” është një libër kyç mbi identitetin e një vendi, të ndarë dy herë nga Evropa, në fillim nga turqit dhe më pas nga komunizmi...
është problemi numër një, i cili për fat të keq ende nuk është zgjidhur, por është për të gjithë Ballkanin, kjo thyerje me Evropën dhe kjo lidhje me perandorinë turke. Por historia është ende më e lashtë, më parë ishte gadishulli Iberik, i cili u nda nga Evropa, më pas Ballkani. Turqit e provuan edhe me Italinë, por nuk ia dolën. Më pas ndryshuan mendim, vendosën që përmes Ballkanit të arrinin zemrën e Evropës, nuk e donin detin..”
Më pas fashizmi, një periudhë e shkurtër...
Po, por për shkak të fashizmit, erdhi komunizmi. Jugosllavët, shqiptarët dhe grekët u bashkuan nën një ideologji kombëtare. Në Shqipëri nuk ishin shenjat, nuk ishin kushtet, sepse komunizmi ishte në fatin tonë.
Më pas koha e totalitarizmit të madh, stalinian, kinez, autarkik, i keni njohur të gjitha format...
Mbi të gjitha ishte e trishtueshme. Shenja e parë është represioni, më pas mërzia. Nuk flitet kurrë për këtë trishtim, e që në fakt ishte diçka e përditshme që ngacmonte njerëzit bashkë me dhunën, jetën e zbehtë, të varfër. Regjimi krijon një jetë artificiale, një skenar filmash vizatimor, pasi një jetë normale nuk mund të ekzistojë nën diktaturë. Qëllimi kryesor i tiranëve është deformimi i jetës, ç’organizimi total i saj.
Ju ishte një shkrimtar me famë atëherë, si mund të mbijetohet nën tirani?
E vetmja mënyrë për të rezistuar është të përpiqesh të shkruash, të bësh të besosh veten tënde se jeton në një vend diktatorial, por që në të njëjtën kohë, ju mund të bëni diçka që del nga ky model; mbi të gjitha të bësh letërsi! Ia arrin apo jo, nuk ka formula, duhet të tentosh; “Përbindëshi” u publikua, më pas u ndalua. Edhe në periudhën e stalinizmit ka pasur shkrimtarë të jashtëzakonshëm. Bulgakov ka krijuar gjithçka nën stalinizëm. Kështu dhe Maldestam, Anna Akmatova, edhe nën stalinizëm ka letërsi të madhe.
Nganjëherë duket më e vështirë të shkruash në një demokraci...
është një koncept, që nevojitet t’i vendosë shkrimtarët në vështirësi, që të shkruajnë mirë. Nuk mund të nxirren konkluzione nga një ekstrem në tjetrin, nuk është liria që e bën letërsinë, nuk është tirania që e vret, nuk është liria që bën të shkruarit e gjeniut, nuk është diktatura që bën mediokritetin. Mrekullia e saj është se është e paklasifikueshme.
Më pas erdhi pranvera shqiptare, si do ta gjykonit vendin tuaj sot?
Një situatë që nuk është për t’u pasur zili. Sigurisht që diktatura është rrëzuar, por mbeten gjithmonë mbeturinat: Jo ato konkretet, por ato të një mentaliteti të përgjithshëm.
Shqipëria ende nuk ka realizuar këtë shkëputje, është diskutuar gjatë por për fat të keq ende nuk është rënë dakord për një ligj për transparencën, për të hapur arkivat sekrete. Kjo mosnjohje e të vërtetës ka efekte negative, lejon shumë spekulime dhe favorizon një pjesë të korrupsionit që bren vendin. Disa njohin sekretet e të tjerëve dhe i përdorin. Ish- informatorët, spiunët janë bërë një lloj thesari për dy kampet e politikës, përdoren si armë kërcënimi. Shqiptarët nuk kanë guximin të përballen me të kaluarën e tyre. Ka nga ato që thonë: hapni arkivat, të tjetër kundërshtojnë: jo, pasi kjo do të krijonte probleme, jemi vendi i hakmarrjes. Por nuk mund të mbulohet e vërteta për asnjë pretekst. është një pretekst, një alibi kjo e hakmarrjes. Në vendin tonë ka mijëra ish-të burgosur që takojnë nëpër kafene torturuesit e tyre dhe nuk u ndodh asgjë. Ish-informatorët janë një problem i komplikuar, duhet të jetojnë, por nuk mund të kenë poste drejtuesish, nuk mund të japin leksione morali. Edhe jeta e tyre është një kapitull drame, ishin rekrutuar me metoda të mbrapshta, kanë rënë pre e mashtrimit, por nuk kanë të drejtën të bëhen lider të vendit.
Evropa ishte shpresa, ju ka zhgënjyer me grindjet e saj mediokre dhe obsesionin e saj të komunizmit?
Jo, të bëhesh evropian është ende aspirata numër një, nuk ka alternativa të tjera. Sigurisht nuk është parajsa, ka problemet e saj të mëdha dhe të vogla, strategjike dhe të përditshme, por nuk ka alternativë tjetër. E imagjinonin me kryeveprat e saj, janë pak të zhgënjyer, por kanë kuptuar edhe logjikën e këtyre defekteve, nuk mund të krijohet një sistem liberal demokratik, pa ekzistuar këto defekte.
A ka shkrimtarë dhe libra që ju kanë nxitur të bëheni shkrimtar?
Në adoleshencë pëlqehet një letërsi shumë dramatike, e errët, fantastike. Unë isha kështu, në Ballkan ka një trashëgimi folklorike dhe popullore, që ishte afër kësaj cilësie shekspiriane. Shkrimtari mund të dëmtohet nga kjo, por unë për fat të mirë pëlqeja dhe groteskun, të gëzueshmen, fantazinë. Don Kishoti, që ishte shumë popullor në Shqipëri, ka luajtur një rol ekuilibrimi të kësaj ane të errët, epike. Gjithçka është vënë në dyshim nga Don Kishoti. Ka pasur etje për letërsinë e madhe botërore; Dante, Servantesi, Shekspiri, ishin pothuajse si autorët shqiptarë, si klasikët shqiptarë, madje më shumë.
Dante ishte shumë i njohur para se të pushtoheshim nga Italia, dhe shumë besonin se, me dëbimin e italianëve, ai që ishte bërë praktikisht, shkrimtari i parë shqiptar do të binte nga fama. Por çuditërisht në komunizëm, Dante u bë edhe më popullor, përkthimet më të mira të “Komedisë Hyjnore” janë bërë në periudhën e komunizmit, përkthime të mrekullueshme. Disa prej përkthyesve kanë punuar në burg.
Pse?
Pas prishjes me kampin socialist, letërsia ruse dhe sovjetike la një boshllëk të madh dhe duheshin shtuar publikimet e letërsisë klasike të gjithë botës, të mbusheshin raftet e librarive. Në fillim u duk një zhvillim pozitiv, më pas u lidhëm me Kinën....Ju keni bërë një udhëtim në Kinën maoiste....
Po një herë, gjatë revolucionit kulturor. Objektivat e delegacionit tonë kulturor ishin Kina, Koreja dhe Vietnami. Përshtypja ishte e fortë edhe pse delegacioni ynë ishte i izoluar nga realiteti. Nuk mund të thuhet që nuk kuptohej dhe nuk shihej. Kam publikuar një roman mbi miqësinë mes Shqipërisë dhe Kinës, një libër grotesk. Pasi prishëm marrëdhëniet me Pekinin ishte politikisht korrekte të kritikoje kinezët, dhe meqë ishin të ngjashëm ishte një mënyrë për të kritikuar Shqipërinë.
*”La Stampa”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›