E Diel, 1 Nëntor 2026

Dentistja i rrezikon jetën 14-vjeçarit

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

Një injektim me shiringë për të hequr dhëmbin për pak sa nuk i ka marrë jetën një 14-vjeçari, i cili ka më shumë se 40 ditë që kurohet në spitalin pediatrik të Elbasanit. Sipas mjekëve, nga analizat e bëra të Rogers Hysenit nga qyteza e Cërrikut ai ka dalë me hepatit B, një sëmundje e cila në të shumtat e rasteve mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Por, vetëm fati dhe mjekimi prej më shumë se 1 muaji i ka shpëtuar jetën adoleshentit. Ashtu siç tregon vetë Rogersi dhe i ati i tij nga dhoma e spitalit të Elbasanit, ngjarja ka ndodhur në fund të muajit qershor. Në atë kohë 14-vjeçari Hyseni është paraqitur në një klinikë private për të hequr një dhëmb. Duket se nga neglizhenca, stomatologia ka përdorur të njëjtën shiringë për të injektuar dy pacientë njëkohësisht. Vetë Rogersi tregon ato momente, tashmë që është detyruar të qëndrojë në shtrat e të mjekohet çdo ditë. "Kur shkova për të hequr dhëmbin më ra në sy doreza e dentistes, e cila ishte me gjak. I thashë që t'i heqë ato. Por dentistja i lau dorezat dhe me të njëjtën shiringë të një pacienti tjetër, i cili ndodhej në klinikë, më bëri edhe mua gjilpërën e mpirjes. Mbas tre muajsh unë kisha dhimbje trupi, stomaku e mëlçie. Babai më solli në spital ku edhe mësuam se unë isha me hepatit B", tregon 14-vjeçari. Ndërsa babai i Rogersit, Bardhi Hyseni, shprehet se nuk kërkon asgjë sot, vetëm jetën e fëmijës. Ai ndjehet mjaft i kënaqur nga ndihma që i kanë dhënë mjekët dhe personeli i spitalit, në veçanti nga mjekja Ariana Papajani, por nuk le pa përmendur neglizhencën e stomatologes, e cila për pak desh i mori jetën të birit. Edhe pse ka 40 ditë i shtruar në spital, babai i pacientit ende druhet se mos ndoshta gjendja përkeqësohet. Gjithsesi mjeku pediatër Edmond Laho shprehet se aktualisht gjendja e fëmijës tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Rastet e hepatitit B, ndodhin për shkak të ndërhyrjeve kirurgjikale apo injektimeve, i cili shfaqet pas 2-3 ose 4 muajsh. Dhe sipas mjekëve rasti i 14-vjeçarit është hepati B shiringal. Menjëherë pas shtrimit në spital, të gjithë familjarët e tij i janë nënshtruar analizave, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ishte prekur nga sëmundja që shkatërron mëlçinë. Dëshmia e vetë djalit ka bërë që mjekët të zbardhin shkakun pse ai vuan nga hepatiti B, prej të cilët do të qëndrojë dhe disa ditë në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›