Kalimash, kërkohet mbyllja e rrugës që lidh grykat
AUTOSTRADA/ Pas mbylljes së tunelit, njerëzit kanë gjetur mënyra të tjera për të shkurtuar rrugë duke rrezikuar veten
KUKËS - Policia e Kukësit ka kërkuar nga kompania ndërtuese "Bechtel & Enka" që të mbyllë rrugën që lidh dy grykat e tunelit, pikërisht Kalimashin me Thirrën, pasi qarkullimi përmes kësaj rruge paraqet rrezikshmëri për jetën e pasagjerëve dhe të drejtuesve të automjeteve.
Në të majtë të tunelit të Kalimashit, kompania ndërtuese "Bechtel & Enka" ka hapur një rrugë pasi ka ngritur në një gurore në malet e Qafës së Kumbullës një nyje për prodhimin e inerteve dhe të betoneve. Kjo rrugë më pas është shfrytëzuar nga mjetet e kompanisë për t'u lidhur në të dyja anët e tunelit, ku ¾-at e saj thuajse janë të pakalueshme.
Punonjësit e postës së policisë në tunelin e Kalimashit janë shprehur për "Shekulli"-n se gati çdo natë kanë thirrje telefonike për ndihmë nga numri falas 129 nga drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë në rrugën malore nga Thirra në Kalimash dhe anasjelltas. Sipas policisë, drejtuesit e automjeteve në të shumtën e rasteve humbin rrugën, pësojnë defekte në rrugën e vështirë apo mbesin në baltë.
Ata rrëfejnë rastin e një shtetasi nga Kosova, i cili me automjetin e tij tip "Fuoristradë" ishte nisur përmes rrugës malore dhe kishte humbur rrugën në një natë me shi ku dhe i kishin plasur dy gomat e prapme. Përmes numrit të telefonit 129, qytetari nga Kosova kishte njoftuar policinë e Mirditës duke e gënjyar sikur e kishin grabitur, pasi vetëm kështu e kishte të sigurt se policia do t'i shkonte në ndihmë.
"Pas marrjes së njoftimit nga policia e Mirditës jemi nisur drejt vendit të ngjarjes ku pas shumë vështirësish kemi mundur të gjejmë qytetarin nga Kosova bashkë me mjetin e tij që i kishte mbetur në baltë, si dhe i kishin plasur gomat",- tregon një polic që shërben në tunelin e Kalimashit.
Komandanti i postës së policisë në tunelin e Kalimashit i ka kërkuar kompanisë ndërtuese që të mbyllë rrugën në krahun e majtë të tunelit, e cila përdoret nga drejtuesit e automjeteve për të udhëtuar drejt Thirrës e më pas në autostradë për në Rrëshen.
Ai ka bërë thirrje që drejtuesit e automjeteve të mos ndërmarrin udhëtime përmes Qafës së Kumbullës pasi rruga paraqet mjaft rreziqe, sidomos në pjesën e Thirrës, aty ku mbaron rruga për tek nyja e betonit e hapur nga kompania ndërtuese.
Mbyllja e tunelit të Kalimashit ka stimuluar biznesin e automjeteve tip "Fuoristrada" të cilat qarkullojnë në rrugë të veshtira. Pronarë të këtyre automjeteve janë vënë në dispozicion të udhëtarëve që dëshirojnë të qarkullojnë nga Kalimashi në Thirrë përmes rrugës malore që lidh dy grykat e tunelit.
Kjo rrugë është e gjatë rreth 22 kilometër dhe shtrihet deri në lartësitë mbi 1000 metër mbi nivelin e detit dhe aktualisht qarkullimi përmes saj bëhet vetëm me automjete të larta. Kundrejt një pagese prej 1500 lekësh, pronarët e këtyre automjeteve u shërbejnë udhëtarëve nga Kukesi në Tiranë dhe anasjelltas, përmes rrugës malore dhe duke shtuar 100% çmimin e biletës.
Por kjo rrugë paraqet plot rreziqe në qarkullim. Ndërkohë që policia është vënë përpara presioneve nga njerëz të ndryshëm për të kaluar përmes tunelit në momentin kur ndërrohen turnet, pikërisht në orën 06:00 të mëngjesit dhe në orën 18:00 të mbrëmjes.
"Persona të ndryshëm nga brenda kompanisë "Bechtel&Enka" kryesisht shtetas turq kërkojnë të kalojnë të njohurit e tyre përmes tunelit në kohën që punëtorët e kompanisë ndërrojnë turnet",- shprehet komandanti i postës së policisë. Bëhet e ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka shpërndarë disa autorizime për persona të veçantë të cilët kanë të drejtë të qarkullojnë në tunelin e Kalimashit në kohën e ndërrimit të turneve, respektivisht në orën 06:00 dhe në 18:00. Por ky fakt nuk është konfirmuar nga ana e policisë.
Nderkohë që në oraret e ndërrimit të turneve në shumë raste janë lënë të kalojnë automjete që transportojnë të sëmurë. Tuneli i Kalimashit i hapur me 25 qershor, vetëm 72 orë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, është mbyllur plotësisht mbrëmjen e 11 tetorit.