Rreh të fejuarën për shkak të telefonatave anonime
ELBASAN - Ka rrahur e goditur me mjete rrethanore të fejuarën pasi i ka zbuluar telefonata pa numër në telefonin e saj celular.
Pasi ka kërkuar shpjegime, i inatosur nga xhelozia një 37-vjeçar nga Shkodra, i fejuar në Elbasan, ka filluar ta godasë të fejuarën duke i shkaktuar edhe dëmtime në trup. 35-vjeçarja B.P. ka thënë në polici se është goditur nga i fejuari pasi ka marrë një telefonatë anonime, nga një person të cilin ajo nuk e njihte kush ishte.
Kjo e ka inatosur së tepërmi burrin, i cili nuk ka pritur shumë shpjegime, por ka filluar ta godasë edhe me mjete që ka gjendur përreth. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ka filluar procedimi penal ndaj shtetasit Artan Dagistani, 37 vjeç, me banim në Shkodër.
Ky i fundit, sipas policisë, pas një konflikti me të fejuarën e tij, i ka shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, duke e goditur me mjete rrethanore. Vajza ka marrë mjekim e pastaj është larguar nga spitali duke depozituar edhe denoncimin. 37-vjeçari do të ndiqet në gjendje të lirë.
Godet policinë bashkiake, vihet në pranga
ELBASAN - Goditi policin bashkiak dhe vihet në pranga. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të së enjtes, ndërsa është arrestuar shtetasi Nexhmi Golemi, 27 vjeç, me banim në fshatin Kotodesh. Sipas bluve, arrestimi i tij u bë pasi ka goditur për shkak të detyrës një punonjës të policisë bashkiake të Përrenjasit. Ky i fundit ka marrë dëmtime në trup dhe është dërguar për mjekim.
Pritet që hetimet të zbardhin të gjitha rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, me marrjen në pyetje të të riut të arrestuar. Ky i fundit paraprakisht ka deklaruar se është fyer nga agjenti dhe është detyruar të reagojë dhunshëm. Gjithsesi, pritet që pasi të merren në pyetje dëshmitarët, të zbardhen rrethanat e plota në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Bie nga lartësia, vdes 19 -vjeçari
BERAT- Vdes një 19-vjeçar, pasi ka rënë nga lartësia. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur mbasditen e së premtes në Poshnje të Beratit, kur Xhevit Braushi ka qenë duke punuar në një ndërtesë 4-katëshe. Burime të spitalit të Beratit pohojnë se në orën 17:00 të së premtes pranë repartit të urgjencës është paraqitur një person me fraktura të rënda.
Mjekët e këtij shërbimi e kanë futur menjëherë në sallën e operacionit, por i riu nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas dëshmitarëve, i riu punonte në një brigadë që merrej me izolimin e banesave.
Teksa punonte, 19-vjeçari ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në tokë nga një lartësi prej 13,2 metrash. Pranë tij janë ndodhur shokët e punës, të cilët e kanë nisur menjëherë në spitalin rajonal për t'i dhënë ndihmën e parë. Ndërkohë po hetohet për rrethanat dhe përgjegjësitë e ngjarjes.