Përmbytjet, dëme në zonën turistike të Shirokës
SHKODER - Në të dyja përmbytjet që kaloi Shkodra, dëme të shumta u shënuan në banesat në qendër të Shirokës si dhe për një numër biznesesh që funksionojnë përgjatë bregut të liqenit, nga ura e Bunës deri në Shirokë. Gjatë përmbytjes së parë, zona e Shirokës dhe e Zogajve u bllokua për disa ditë, pasi rruga që i lidh me Shkodrën ishte zënë nga ujërat e liqenit. "Niveli i liqenit ishte rritur aq sa uji erdhi deri në banesat në qendër të Shirokës. Të gjitha lokalet e zonës ishin të përmbytura, ndërsa mundësia e vetme për të lëvizur ishte udhëtimi me varkë mbi rrugët automobilistike. Qeveria u mjaftua me dërgimin vetëm për një ditë të grupeve të verifikimit dhe më pas çdo gjë u la në harresë", u shprehën banorë të kësaj zone. Sipas tyre, ata ishin në pritje të kompensimit, kur papritur u përmbytën për herë të dytë. Lokalet e shumta që ka kjo zonë janë të vetmet mundësi për të siguruar bukën e gojës, pasi Shiroka është zonë turistike. "Që para vitit të ri asnjë nga lokalet nuk ka filluar punë. Të mos harrojmë se taksat shteti i do deri më një. Por kush do të përgjigjet për këto humbje të mëdha financiare nga mbajtja mbyllur e lokaleve?", u shprehën banorë të Shirokës të cilët i kanë banesat në qendër të saj. Ndërkohë situata në këtë qark duket se po shkon drejt përmirësimit. Në bazë të të dhënave të grumbulluara nga krerët e njësive vendore dhe Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, sipërfaqja e tokës së përmbytur në Qarkun e Shkodrës ditën e djeshme rezulton të jetë 5700 ha. Gjithashtu, 56 shtëpi janë të përmbytura dhe 805 të tjera të rrethuara nga uji. 23 familjet e Komunës Dajç dhe 15 familjet e Komunës Velipojë lëvizin nga shtëpitë e tyre në mënyrë periodike në varësi të lëvizjes së nivelit të ujërave. Edhe këtë të hënë, për shkak të nivelit të ujit vijuan të mbeten të pakalueshme aksi i Obotit, në Komunën Ana e Malit dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek ura e Gjo Lulit në Shkodër. r.d