E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalimashi, tuneli hapet më 21 maj

26/04/2010 Përfundon plotësisht betonimi në tubin jugor të tunelit të Kalimashit, ndërkohë që hapja e tij për qarkullim është shtyrë për 21 maj. Burime të kompanisë “Bechtel&Enka” kanë bërë të ditur se para dy ditësh janë hequr 2 kallëpet e fundit të betonit në tubin jugor të tunelit të Kalimashit. Kallëpet kanë një gjatësi prej 12 metrash secili, kështu që të shtunën kanë përfunduar 24 metrat e fundit të betonimit të galerisë jugore që pritet të lëshohet për qarkullim së shpejti. Megjithëse 15 maji ka qenë e vetmja datë që autoritetet zyrtare në Shqipëri, por edhe ato të kompanisë “Bechtel&Enka” kishin përcaktuar për hapjen e tunelit, hapja e tubit jugor të tunelit të Kalimashit është shtyrë për një javë. Këtë fakt e ka konfirmuar pa ekuivoke zv/ministri i Transporteve, Ernest Noka, ndërkohë që ministri Sokol Olldashi e ka përcaktuar datën si një interval në mes 15-20 majit. Por edhe burime të kompanisë “Bechtel&Enka” bëjnë të ditur se tubi jugor i tunelit nuk do të jetë i gatshëm për më 15 maj, pasi nuk është gati kompania menaxhuese e tunelit “Savronik”, e cila po instalon pajisjet elektromekanike. Ndërkohë që kompania “Bechtel&Enka” pas përfundimit të betonimit do të fillojë me procesin e mbushjes së pjesës së betonuar në gjatësinë prej 1 kilometër në dyshemenë e tunelit për të çuar në nivel me pjesën tjetër dhe më pas për të vazhduar me asfaltimin. Kompania greke që do të merret me procesin e lyerjes së tunelit, aktualisht po merret me ngritjen e skelave dhe stukimet për t’i paraprirë procesit të lyerjes. “Në segmentin Rrëshen-Kalimash që është pjesa më e gjatë, por edhe më e vështirë e kësaj rruge, ne po punojmë për mbylljen e rifiniturave të fundit të tunelit. Unë jam i bindur që aksi do të jetë i hapur brenda intervalit 15-20 maj”, deklaroi pak ditë më parë ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›