Matura, paratestim për nivelin e dijeve të nxënësve
26/04/2010 Duke filluar nga java e ardhshme, në të gjitha shkollat e mesme do të zhvillohen paratestimet për Maturën Shtetërore. Nxënësit që kanë aplikuar tashmë për ndjekjen e shkollës së lartë do të përfshihen në këto provime, të cilat do të jenë të ngjashme me ato që do të jepen në tezat përfundimtare për të dy provimet e detyruara që do të zhvillohen në dy javët e para të muajit qershor. Sipas hartuesve të Maturës, zhvillimi i këtyre paratestimeve është i domosdoshëm për të parë nivelin e dijeve që disponojnë nxënësit. Kjo, që kur të hartohet teza përfundimtare e provimeve për lëndën e Matematikës, ashtu dhe për atë të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, të përfshihen pyetje për të tria nivelet e vështirësisë. Tashmë janë shpërndarë edhe programet orientuese nëpër shkolla për secilën nga lëndët. Këto të fundit përmbajnë temat që secili maturant duhet të përvetësojë për të marrë rezultate sa më të larta në provimet e maturës. Ndërkohë që 60-80 për qind e pyetjeve të tezës finale do të përzgjidhen nga temat e listuara në programet orientuese të secilës lëndë.