E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalimi në Stromsgodset, hap i madh

Bardh Shala ka bërë një hap para në karrierë. Ai ka nënshkruar kontratë trivjeçare me klubin nga elita e futbollit norvegjez, Stromsgodset, e vlefshme nga janari i vitit të ardhshëm. Për sulmuesin kosovar kjo është gjë e madhe derisa mezi pret t’i bashkohet ekipit të ri. Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 11:42

Bardh Shala për një kohë të gjatë konsiderohej si njëri prej talentëve më të mëdhenj në Norvegji. Tash, futbollisti kosovar ka nënshkruar me ekipin Stromsgodset. 20-vjeçari do t’i bashkohet këtij ekipi në muajin janar të vitit të ardhshëm.

Ai deri në atë periudhë do të luftojë me ekipin aktual, Skeid, që të inkuadrohet në elitën e futbollit norvegjez. Talenti kosovar e kaloi një sezon me Skeidin, duke realizuar 17 gola në 19 ndeshje. Stromsgodset ia doli t’i sigurojë shërbimet e tij javën e kaluar, para përfundimit të afatit kalimtar të verës.

“Kjo është një gjë e madhe për mua, por duhet të jem i qetë. Të jetoj me futbollin, kjo ka qenë një ëndërr për mua që kur kisha ardhur në Valerenga nga Hauketo, si 14 vjeç”, deklaroi Shala për uebfaqen norvegjeze, ostkantavisa.no.

Talenti kosovar ka nënshkruar kontratë trivjeçare, e cila hyn në fuqi nga janari i vitit 2012. Ai nuk do ta harrojë kurrë eksperiencën në Skeid, ku kishte arritur në vitin 2009.

“Kam kaluar momente të mira në Skeid, por tash po ndihem i gatshëm për sfidat e ardhshme. Do ta mbyll eksperiencën time këtu në stil të veçantë”, shtoi Shala, i cili ka luajtur për U-15, U-16 e U-17 të Norvegjisë.

Shala tregon se një lëndim në ijë e kishte bërë që të mendonte se mund ta përfundojë karrierën, por fatmirësisht gjithçka ishte kthyer në vendin e vet dhe ai kishte vazhduar me shënimin e golave. 20-vjeçari uron që ta ketë një karrierë të suksesshme në Stromsgodset.

“Objektiv primar për mua natyrisht është të luaj me ekipin e parë, por së pari më duhet të adaptohem si me nivelin, ashtu edhe me ambientin. Gjëja më e rëndësishme është që të ushtroj mirë. Stromsgodset më ka tërhequr qe një kohë të gjatë si klub. Duket se gjithçka është e mundshme për lojtarët e rinj që të kenë sukses në këtë ekip”, përfundoi Shala.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›