Lideri gati ta vazhdojë befasinë

Të mërkurën do të zhvillohet xhiroja e tretë e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të luhen disa ndeshje mjaft interesante.
Por, derbi i kësaj xhiroje do të zhvillohet në Kaçanik mes Lepencit dhe Prishtinës.
Skuadra nga Kaçaniku, e cila sivjet debutoi në elitë, po befason për të mirë në këtë fillim të kampionatit. Kuqezinjtë deri më tani i kanë shënuar dy fitore në po aq ndeshje të zhvilluara dhe me meritë prijnë në renditjen tabelore.
Madje, ata nuk e kanë pësuar ende asnjë gol. Lepenci me fitore synon ta kalojë edhe sfidën e radhës, Prishtinën, skuadër kjo e cila sivjet synon ta fitojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.
Madje, kësaj here Lepenci do të jetë akoma më i motivuar, sepse nga e mërkura ndeshjet e veta si vendase do t’i zhvillojë në Kaçanik, sepse tashmë stadiumi i saj është licencuar nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Skuadra ime është ndër më cilësoret në vend. Ne jemi përgatitur mirë që ta presim dhe ta përcjellim ekipin më cilësor në Kosovë, Prishtinën, normalisht duke i ndalur pikët e plota në Kaçanik. Është ndeshje debutuese në stadiumin tonë dhe presim interesim të madh të tifozëve. Shpresoj që tifozeria mos të zhgënjehet nga ana e lojtarëve tanë, por t’i kënaqim ata me tri pikë”, deklaroi për Express, trajneri i Lepencit, Selajdin Zeneli.
Mirëpo, realisht skuadra e tij nuk do ta ketë aspak të lehtë të triumfojë në duel me kryeqytetasit. Kjo pasi Prishtina synon që t’ia shkaktojë Lepencit humbjen e parë në këtë stinor, dhe kështu të dëshmojë se është kandidat serioz për t’i rrëmbyer të gjitha trofetë e futbollit kosovar.
Kryeqytetasit janë të vetëdijshëm se Lepenci pritet të ketë përkrahje të zjarrtë të tifozëve të vet ‘Fikshave’, por ata thonë se tashmë janë mësuar të luajnë në terrene të atilla të nxehta, siç pritet të jetë në Kaçanik.
“Sikurse në çdo ndeshje tjetër, edhe në këtë takim do të hyjmë të koncentruar maksimalisht dhe me një angazhim të madh synojmë ta nxjerrim një rezultat sa më të favorshëm që mundemi. Nuk do ta kemi lehtë përballë Lepencit, i cili jorastësisht e ka nisur me dy fitore kampionatin e ri. Lepenci do të ketë përkrahje të zdratë të tifozerisë së vet, por ne jemi mësuar tashmë të luajmë në asi atmosfere dhe nuk do ta kemi problem të kërkojmë një rezultat sa më pozitiv”, u shpreh strategu prishtinas, Ramiz Krasniqi.
Interesant pritet të jetë edhe në Gjilan, ku do të sfidohen sy skuadra të përforcuara mirë gjatë verës, Drita dhe Trepça ’89. Të dyja këto ekipe aktualisht gjenden në krye të tabelës me nga katër pikë, pasi e kanë shënuar nga një fitore, derisa nga një herë kanë luajtur baras.
Ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Gjakovë, ku Vëllaznimi do ta kërkojë fitoren e dytë në këtë edicion përballë Drenicës, e cila i ka fituar vetëm dy pikë në dy ndeshje. Në Pejë Besa synon të këndellet në duel me Gjilanin, pas një starti mjaft të dobët. Kurse, pas humbjes nga Prishtina, Hysi do të mundohet t’u kthehet fitoreve në duel me Lirinë, e cila dobët e ka nisur edicionin e ri.
Superliga – xhiroja e 3’të
E mërkurë
Lepenci – Prishtina
Drita – Trepça ’89
Besa – Gjilani
Vëllaznimi – Drenica
Trepça – KEK-u
Hysi – Liria
Të gjitha ndeshjet zhvillohen nga ora 16.00