E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalimi nga diktatura në demokracinë pluraliste

Rënia e Murit të Berlinit, si simbol i fillimit të fundit të komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore, do të ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të fundshekullit të XX-të. Kjo ngjarje do të pasonte me të ashtuquajturën "triumfin e demokracisë perëndimore" në përballjen gati 50-vjeçare me "demokracinë popullore", ku kjo e fundit si përvoje politike, ekonomike e sociale do të përfundonte në "koshin" e historisë.
Faza e kalimit nga sistemi totalitar komunist në sistemin demokratik, është ajo fazë të cilën politologët dhe studiuesit e sistemeve politike e kanë quajtur rëndom "tranzicion". Përvoja historike me veçoritë dhe specifikat e saj në vende të ndryshme të Evropës Qendrore dhe Lindore, ka treguar se është më i vështirë kalimi nga totalitarizmi në demokracinë pluraliste, në vendet që aplikuan marksizmin ortodoks dhe ekstremizmin politik. Shembulli me tipik është padyshim Shqipëria.
Kuptohet që vështirësia e këtij tranzicioni buron nga veprimi i faktorëve kompleksë që shoqërojnë një ndryshim rrënjësor të të gjithë godinës shoqërore. Kjo fazë e ndërmjetme drejt demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut, kërkon një kompleks reformash të thella strukturore, liberalizuese, ekonomike, financiare, politike, institucionale, ligjore etj. Natyrisht, kërkon ndryshime rrënjësore në vizione, mentalitete, në organizimin dhe drejtimin e punëve. Kjo është arsyeja që nevojitet një interval, një tranzicion që formohet nga përmbajtja e këtyre reformave e ndryshimeve.
Ngjarjet e vitit 1989, pavarësisht natyrës së tyre përgjithësisht jo të dhunshme, janë konsideruar dhe trajtuar nga studiuesit si "revolucione" për shkak të dy elementeve thelbësore që shoqëruan ketë proces: shkalla e gjerë e pjesëmarrjes njerëzore në luftën për rrëzimin e regjimit komunist në të gjitha vendet e ish-bllokut lindor dhe ndryshimit apo përmbysjes rrënjësore që realizuan ato. Ndikimi i kësaj lëvizjeje të gjerë ndryshuese pati një impakt të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për të gjitha këto vende, të cilët njëri pas tjetrit rrëzuan si nën një "efekt domino" regjimet komuniste.
Në historinë moderne, revolucionet e vitit 1989 do të ishin befasuese në papashikueshmërinë e tyre, ndikuar kjo dhe nga shpejtësia e rrëzimit të regjimeve komuniste pas një periudhe sundimi gati gjysmëshekullor. është e qartë se pas hovizmit fillestar idealist dhe ngazëllyes, gëzimi dhe entuziazmi i fundviteve 80 do të zëvendësoheshin shpejt me trishtimin dhe pesimizmin e viteve '90. Sipas Vaclav Havel, njërit prej arkitektëve kryesorë të revolucionit anti-komunist, shkaqet e këtij trishtimi do të vinin nga vetë lindja e fenomeneve si skepticizmi, vështirësitë e ndryshimeve, demagogjia, intriga, protagonizmi i ditës, lufta për pushtet, mungesa e tolerancës etj.
Instalimi institucional i demokracisë dhe ekonomisë së tregut, i sistemit të vlerave të shoqërisë perëndimore u shfaq si një proces që hasi në kontradikta, sidomos edhe për mungesë të vizioneve të qarta dhe përvojës nga klasa e re politike në këto vende. është karakteristikë esenciale që këto vështirësi nuk rrodhën nga ndonjë kundërvënie e brendshme. Nuk u shfaq në këtë tranzicion asnjë platformë që të synonte ruajtjen e sistemit të mëparshëm. Tashmë mund të thuhet se këto vende ish-komuniste janë demokraci të reja të tipit perëndimor.
Dilema qëndron në pyetjen, përse ndodhi qe fondamentet e demokracisë pluraliste si shteti i së drejtës, ekonomia e tregut dhe shoqëria e hapur, nuk kanë të njëjtën eficencë dhe aplikueshmëri ashtu sikurse kanë në Perëndimin e shumë dëshiruar?
Nuk marr përsipër të evidentoj të gjithë faktorët që kanë lënë gjurmë në këtë proces, por disa prej tyre i gjykoj se kanë ndikuar së tepërmi. Së pari, tendenca dominuese e studimeve mbi transformimin e shoqërive post-komuniste, janë fokusuar në studimin e faktorëve "hard", ose e thënë ndryshe te strukturat institucionale, marrëveshjet ekonomike apo politike, burimet materiale, teknologjitë etj. Këto studime i kanë kushtuar pak vëmendje faktorëve "soft", ose faktorit njerëzor me të gjithë përbërësit socio-psikologjik për të shpjeguar rrugën e tranzicionit te shoqërive post-komuniste drejt një shoqërie të hapur.
Një nga motot udhëheqëse të revolucioneve post-komuniste ishte "të shkojmë drejt Evropës". Por, në fakt termi "Evropë" ka dy domethënie të ndryshme. Ashtu siç do të vëzhgonte Berzezinski, termi "shtëpi" evropiane dallon nga termi "familje" evropiane. "Shtëpia" ka kuptim arkitektonik dhe nënkupton atë çka është e prekshme, strukturën politiko-institucionale, ekonominë, ligjin, administratën dhe teknologjinë, ndërsa "familja" ka kuptim relacional dhe nënkupton atë çka është e paprekshme si marrëdhëniet ndërpersonale, identitetin, besnikërinë dhe traditën. çka do të thotë se të aspirosh për të shkuar apo për t'u rikthyer në "shtëpinë" evropiane, nuk është e njëjta gjë si të jesh i pranuar nga "familja" evropiane. Për këtë arsye, arritja e së parës është më e lehtë, pasi ajo thjesht kërkon krijimin e një kushtetute demokratike e cila duhet të garantojë reformat politiko-ekonomike sipas modelit të demokracisë perëndimore liberale, ndërsa e dyta kërkon transformime thelbësore mendore, kulturore dhe civile te shoqërisë.
Aleksis de Tokvil, në veprën e tij "Demokracia në Amerikë", do të përcaktonte si shkaqet kryesore të suksesit të demokracisë amerikane ekzistencën e elementëve të tillë si, zakonet, mentalitetin, karakterin dhe intelektin e popullit amerikan. Ky pohim do ta bënte me të kuptueshëm vështirësinë e shoqërive post-komuniste në rrugëtimin e tyre drejt pranimit në familjen evropiane. Në këto shoqëri, një barrierë e madhe kulturore është ngritur në pothuajse 5 dekada si rezultat i përpjekjes së tyre për të ndërtuar "socializmin e vërtetë".
Kjo barrierë ka fituar një autonomi e cila ka rezistuar dhe pas rrëzimit të strukturave institucionale dhe organizative të sistemit socialist. Sipas një mendimi të përgjithshëm, kultura nuk dhurohet, por ajo krijohet dhe ndërtohet nga dinamikat e marrëdhënieve të njerëzve dhe shoqërive në rrjedhën e një jetë kolektive. Në shekullin e XX, regjimet komuniste që u vendosën në vendet e Evropës Qendrore e Lindore krijuan në këto vende një kornizë kulturore të ngjashme, e cila do të ngrihej mbi veçoritë kulturore kombëtare të tyre dhe më pas do të ishte relativisht e izoluar nga kultura e gjerë perëndimore.
Mendoj se për të sqaruar më mire dilemën e mësipërme, duhet të sjellim në vëmendje mënyrën se si u instalua dhe u modelua shoqëria komuniste. Ndërtimi i socializmit u mbështet në imponimin me forcë të modernizimit të shoqërisë nga sipër, duke ndjekur modelin e zhvillimit të ekonomisë së planifikuar, sundimit politik autoritar në një sistem partiak monoteist dhe eliminimin deri në asgjësim të çdo forme mendimi ndryshe nga ideologjia e partisë-shtet. Në planin afatshkurtër, për shkak se vendet socialiste u industrializuan më vonë krahasuar me vendet perëndimore, pati një zhvillim të vrullshëm duke shfrytëzuar të gjitha burimet natyrore e njerëzore në përpjekjen për të arritur standardet e zhvillimit të perëndimit të industrializuar. Në planin afatgjatë, rezultati që u arrit nga sistemi socialist nuk përkonte me zhvillimin dhe modernitetin e propaganduar për gati një gjysmë shekulli.
Dështimi në planin afatgjatë mund t'i atribuohet kombinimit të disa komponentëve kontradiktorë dhe paradoksal: nga njëra anë arritjen e një modernizimi "të prekshëm" si industrializimi, urbanizimi, burokratizimi, përparimi arsimor, dhe nga ana tjetër kultura socialiste kolektiviste u shoqërua me shkatërrimin e indeve "të paprekshme" kulturore si liria e individit, prona, jeta, të cilët janë të domosdoshëm në funksion të progresit dhe mirëqenies së një shoqërie njerëzore. Për këtë arsye, në fund të shekullit të XX-të dështimi i eksperimentit së ndërtimit të socializmit, bëri që vendet e ish-bllokut socialist në aspektin e zhvillimit dhe modernizimit ta thellonin dhe më tej distancën nga qendra e zhvilluar duke shkuar me në periferi se më parë.
Periudha post-komuniste që kulmoi me revolucionet e 1989-ës, ishte një përpjekje për t'u shkëputur nga zhvillimi i rremë dhe njëkohësisht nga statusi periferik nëpërmjet reformave radikale politiko-ekonomike me qëllim demokratizimin e shoqërisë. Ajo çka pasoi në periudhën e post-revolucionit ishin lindja e fenomeneve si polarizimi ekstrem i jetës politike e shoqërore, ndarja konfliktuale e establishmentit politik sipas modelit "mik-armik" dhe nga trajtimi negativ i të kaluarës së afërt pa pasur një vizion të qartë në trajtimin e asaj çka do të vinte në të ardhmen e afërt.
Ironia e fatit do të rishfaqej për shoqëritë post-komuniste në përballjen e tyre me vështirësitë e implementimit të reformave të thella të tranzicionit politik dhe ekonomik, të domosdoshme për demokratizimin e shoqërisë. Rruga drejt qeverisjes demokratike, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut, shoqërisë civile dhe integrimit drejt "familjes" evropiane, më shumë sesa ndërtimi i skeletit institucional shtetëror sipas modelit të "shtëpisë" evropiane, është ndikuar se tepërmi nga mentalitetet, praktikat, konceptet dhe kultura politike e vjetër për shtetin, shoqërinë, liritë e të drejtat e njeriut, nga mungesa e një shoqërie të lirë e funksionuese civile. Këto mentalitete e koncepte do te luanin në një masë të konsiderueshme rolin e një barriere penguese.
Mendoj se ka rëndësi të veçantë të mbahet në konsideratë ndikimi i kulturës së vjetër politike, mentaliteteve të vjetra për shtetin e rolin e njeriut të lire në problemet që ka evidentuar procesi demokratik në vendet e reja demokratike post-komuniste. Për mendimin tim, këta elementë kanë ndikuar ndjeshëm në cilësinë dhe efektivitetin e qeverisjes e të reformave politike, ekonomike e sociale.
Dëshiroj të sjell në vëmendje disa pikëpamje interesante të konstitucionalistit të shquar gjerman, Carl Friedrich, që mendoj se na ndihmojnë të sqarojmë më tej dilemën e mësipërme. Në botimin e tij me titull "Qeverisja konstitucionale dhe demokracia", ai evidenton kërkesat thelbësore që një regjim duhet të përmbajë në mënyrë që të klasifikohet si demokratik, të cilat ai i ndan në tre grupe: në grupin e parë ai flet për kushtet institucionale të demokracisë, që janë; ekzistenca e një aparati burokratik të aftë; legjislacioni bashkëkohor; drejtësi efektive; ndarja e pushteteve; në grupin e dytë përcakton kushtet sociale ku, ndër të tjera, përfshin zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien ekonomike; në grupin e tretë, ai përfshin pikërisht veçoritë kulturore, duke vënë theksin në traditat politike të popullsisë si dhe në gatishmërinë për gjetjen e konsensusit dhe pajtimin e interesave ndërmjet grupeve të ndryshme të popullsisë, vendosjes së një lloj ekuilibri në shoqëri dhe politike.
Veçoritë kulturore, të parashtruara nga profesori gjerman, përfshijnë dhe disa nënkategori të rëndësishme si: kultura qytetare, çka do të thotë aktivizim dhe pjesëmarrje politike, interesimi mbi çështjet publike, disiplina, respekti për ligjin, respektimi i kundërshtarit; kultura e dialogut si element i domosdoshëm për pjesëmarrjen dhe mendimin e lirë intelektual si tolerancë, pranimi i diversitetit dhe pluralizmit ideor, skepticizmi dhe kriticizmi. Si të tilla, këto veçori kulturore dhe politike kanë qenë shoqërues sipas një procesi gradual gati treqindvjeçar të zhvillimit historik te demokracive perëndimore liberale. është e qartë se në dekadat e socializmit, zhvillimi i veçorive kulturore, si parakusht i domosdoshëm për demokracinë, u pengua nën trysninë e kontrollit totalitar të partisë-shtet në të gjitha aspektet e zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror.
Rrugëdalja për shoqëritë post-komuniste në realizimin e modernizimit ekonomik dhe funksionimit të një demokracisë autentike, do të ishte krijimi i të ashtuquajturës "shoqëri civile". Një nga elementet kyç në krijimin e saj, është padyshim përmirësimi i nivelit arsimor të shoqërisë. Dija dhe edukimi ofrojnë ndërgjegjësimin qytetar dhe qëndrimin kritik dhe skeptik ndaj çdo lloj forme të ortodoksisë politike. Përmes një niveli të lartë arsimor mundësohet lindja e elitave që do të udhëheqin shoqëritë civile drejt zhvillimit ekonomik dhe demokracisë autentike.
Brendësimi i veçorive kulturore në funksionimin e institucioneve politike dhe veçanërisht në praktikat politike, kërkojnë kohë. Demokracitë e zhvilluara janë konsoliduar përmes një procesi evolutiv historik. Procesi evolutiv i binomit shtet/shoqëri civile, "hard"\"soft power" apo strukturë politike\ infrastrukturë kulturore, shkon përgjatë një maturimi gradual të tyre: të demokracisë në vetvete dhe të njerëzve në rrugën e demokracisë autentike. Kjo do të thotë se edhe ky proces do të ketë zgjatjen e historinë e tij, por tashmë në kushte të reja kur ka dijeni për përmbajtjen e vërtetë të vlerave që e konsolidojnë procesin demokratik.
Përgjegjës i Departamentit
të Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Universiteti "Kristal"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›