E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: PD-PS, dakord për zgjedhje të reja

TIRANE-Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi sugjeroi dje që zgjidhja e krizës politike të jetë një konsensus kombëtar për vendosjen e standardeve të zgjedhjeve të lira apo qoftë edhe një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Pëllumbi u shpreh se ka ardhur koha që maxhoranca dhe opozita të bëhen bashkë, duke i dhënë mesazhin e bashkimit popullit në prag të integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimit të vizave. Në lidhje me mitingun festiv që organizoi dje PD-ja, Pëllumbi tha se ishte "një hap i gabuar" dhe kishte "pamjen e një antimitingu". "Nuk është koha për të demonstruar forcën ndaj njëri-tjetrit, por për të dhënë mesazhe të bashkimit të popullit", - u shpreh dje Pëllumbi. Ai tha se zëri i protestës së opozitës duhet të dëgjohet edhe në kancelaritë ndërkombëtare, ashtu siç duhet të dëgjohet nga kryeministri.
Zoti Pëllumbi, 22 deputetë socialistë kanë hyrë në një grevë urie që prej ditës së premte. Si e vlerësoni këtë vendim të grupit parlamentar të PS-së?
Unë e quaj grevën e urisë, manifestimin e djeshëm, një shkallëzim të aksionit politik të opozitës, një aksion politik i imponuar nga maxhoranca që megjithëse po kalon gati një vit, ajo nuk po dëgjon që të ulet për dialog dhe të gjejë një zgjidhje për krizën politike.
Nga ana tjetër, vetëm pak metra më tej, në sheshin kryesor të Tiranës, maxhoranca festoi 1 Majin. Si ju duk kjo festë?
Unë mendoj se përgjigja që dha maxhoranca, pamjen e kishte festive, por në të vërtetë ishte një hap i gabuar, sepse realisht kishte pamjen e një antimitingu. Nuk është koha për të demonstruar forcën ndaj njëri-tjetrit, por për të dhënë mesazhe të bashkimit të popullit në një kohë që jemi në prag të hapit tjetër të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të heqjes së vizave.
Si mund të zgjidhej kjo situatë?
Në këto kushte, unë mendoj se ka ardhur koha e përgjegjësive politike për të gjetur së pari: ose rrugën e transparencës së plotë, përfshirë edhe hapjen e kutive, ose së dyti, një konsensus kombëtar për standardet e zgjedhjeve të lira apo dhe një marrëveshje politike për zgjedhje të parakohshme.
A besoni se kjo grevë do të japë një zgjidhje të tillë?
Unë shpresoj se do të dëgjohet zëri i deputetëve dhe i një numri të konsiderueshëm përfaqësuesish të rretheve që po ndërmarrin një hap të tillë, pra këtë grevë urie.
A ka vend këtu për ndërhyrje të ndërkombëtarëve?
Zëri i protestuesve duhet të dëgjohet jo thjeshtë te Kryeministria, aty ku po protestohet, por edhe në Uashington, në Bruksel, në Strasburg dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›