E Diel, 1 Nëntor 2026

Mëngjes i Freskët, tre në pranga për 29 kg kanabis

Durrës Dy prej të ndaluarve të dënuar më parë. Policia heton rrjetin e shpërndarjes

Operacioni i koduar “Mëngjesi i freskët” ka çuar në pranga 3 persona, ndërsa janë sekuestruar bimë narkotike dhe automjeti me të cilin po transportoheshin 29 kilogramë dhe 53 gramë kanabis sativa. Droga ka qenë e ndarë në 28 pako dhe sekuestrimi nga blutë e Durrësit është bërë mëngjesin e së shtunës. Operacioni u finalizua dhe me arrestimin e tre shtetasve, dy prej të cilëve nga Përmeti dhe një nga Tirana, si dhe sekuestrimin e automjetit me të cilin po transportohej bima narkotike. Dy nga të arrestuarit kanë qenë të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se të arrestuarit janë: Dorjan Kanani, 22 vjeç, lindur e banues në Përmet, i padënuar më parë, Lirak Bejko, 45 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë në vitin 1985 me 10 vjet burg për veprën penale të tentativës së arratisjes. Ndërkohë që i ndaluari i tretë është Arjan Peçi, 43 vjeç, lindur e banues në Varash të Përmetit, i dënuar më parë për veprën penale të tentativës së vrasjes. Kapja në flagrancë e tre të arrestuarve u bë në vendin e quajtur “Rrota e kuqe” në Plazhin e Durrësit. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin në pronësi të shtetasit Arjan Peçi, tip “Benz” me targa të Përmetit PR 0888 B u gjet sasia e lëndës narkotike, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin. Në të njëjtin automjet po udhëtonin edhe shtetasit Lirak Bejko dhe Dorjan Kanani. Operacioni u organizua në bazë të punës hetimore të efektivave të seksionit kundër narkotikëve. Ndaj të treve ka nisur procedimi penal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa po hetohet për të zbardhur rolin e secilit prej tyre në këtë transport. Hetimet janë përqendruar edhe në zbardhjen e itinerarit të bimës narkotike, si dhe të emrave të tjerë të përfshirë në këtë trafik të brendshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›