E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kallashin për tre qengja

FIER - Një minoren për pak shkaktoi dje një tragjedi, teksa tentoi të vrasë me një armë zjarri tip kallashnikov dy djem më të rritur, përkatësisht 18 dhe 20 vjeç, të cilët i kishin 150 mijë lekë të vjetra borxh. I ndodhur nën presionin e të atit që i kërkonte paratë, Mateo P., 15 vjeç, banues në lagjen “Naftëtari” të qytetit të Patosit në Fier, pasditen e së hënës, rreth orës 15:30, ka ngritur armën kundër Artur Sulës dhe F. Sanxhakut, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Benz” ngjyrë e bardhë, me targë FR 1259 C. Burimet policore pohuan faktin se tentativa për vrasja ka ndodhur për shkak se Sula dhe Sanxhaku disa muaj më parë kanë kontaktuar me Mateon, i cili ruan bagëtitë e të atit, dhe në statusin e personave të njohur në qytet, i kanë kërkuar tre qengja për festën e Baba Tomorit. Shkëmbimi do të kryhej kundrejt 150 mijë lekëve të vjetra, por disa ditë më vonë. Ndërkohë, ditët kanë kaluar, e bashkë me ditët edhe javët, por djemtë nuk po dukeshin. Nga ana tjetër, djaloshit i kërkonte i ati paratë e qengjave, madje babai i Mateos pretendonte se i biri i kishte marrë paratë nga blerësit, por i kishte shpenzuar ato me kokën e vet. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Pallatet e Dukasit”, pranë varrezave të qytetit Patos. Autori i ngjarjes, pasi ka shtënë me kallashnikov në drejtim të dy të rinjve që po kalonin me automjet pranë banesës së tij, është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa policia lokale ka mundur ta ndalojë vetëm pas shtatë orësh. Fillimisht, ai u ka bërë shenjë dy djemve që të ndalonin, por ata janë trembur, e në vend që të ndalonin, e kanë shtruar më tepër shpejtësinë. Në këtë kohë, 15-vjeçari ka qëlluar në drejtim të gomave të “Benz”-it. Policia ka shoqëruar në ambientet e saj të atin e djalit, i cili ka negociuar për dorëzimin e të birit. Në cilësinë e provës materiale, uniformat blu sekuestruan edhe armën e krimit, tip kallashnikov, model 56, kalibër 7,62 milimetra, të cilin i mituri e kishte braktisur në afërsi të varrezave, në brendësi të një ferishteje.

   “Talleshin me mua, i qëllova vetëm për t’i trembur”

“Unë i ndihmova, sepse i njihja. Më premtuan se do m’i jepnin lekët pas 10 ditësh, por ata nuk m’i dhanë e madje edhe talleshin. Babai më kërkonte lekët, sepse dyshonte se mos i kisha prishur”, tha në polici i mituri, ndërsa shtoi se nuk mund të duronte dot më talljet e dy djemve më të rritur se ai në moshë. Deklarata e tij u dha në ambientet e policisë, ku Mateoja u mor në pyetje për disa orë. “Qëllova mbi ta për t’i trembur që të ndalonin, e jo për t’i vrarë”, mësohet të ketë thënë ai për shkrepjen e armës tip kallashnikov në drejtim të automjetit. Ndaj tij tashmë është ngritur akuza e “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

A. Prifti

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›