Qeveria u heq 20 milionë lekë ambasadave nëpër botë

Me propozim të Kryeministrit Sali Berisha, fondi për diplomatët pakësohet në rreth 20 milionë lekë.
Sipas vendimit të qeverisë, këto të ardhura do të përdoren për programin “Integrimi evropian dhe euroatlantik” dhe për imazhin e vendit tonë.
Kjo tregon se vëmendja e diplomacisë shqiptare do të përqendrohet në kushtet kryesore që kanë vendosur ndërkombëtarët për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe për të marrë përfundimisht MSA-në.
Këshilli i Ministrave ka kaluar dje vendimin për një rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2008, miratuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi rishpërndarjen e fondeve, të miratuara në buxhetin e vitit 2008 për Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, zëri “Shpenzime korente”, shtohet fondi 4 milionë lekë. Shtohet fondi 8 milionë lekë për programin “Integrimi evropian dhe euroatlantik”, zëri “Shpenzime korente”, dhe po 8 milionë lekë për programin “Promovimi i imazhit dhe i vlerave të vendit”.
Ndërkohë që për programin “Përfaqësitë diplomatike dhe shërbimi konsullor”, zëri “Shpenzime korente”, pakësohet fondi 20 milionë lekë.
Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Jashtme janë të ngarkuara për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Në Konferencën e Ambasadorëve, drejtuesit e shtetit, si Presidenti Topi, Kryeministri Berisha dhe ministrat e kabinetit kanë kërkuar që diplomatët shqiptarë të njohin mirë realitetin dhe të jenë realistë në përshkrimin e tij.
Drejtuesit e shtetit kanë pranuar se Shqipëria nuk është parajsa mbi tokë. Ambasadorët shqiptarë, por edhe Ministria e Punëve të Jashtme, duhet të dëgjojnë me vëmendje dhe të përcjellin në një kohë sa më të shpejtë këshillat e kancelarive perëndimore për zhvillimet në Shqipëri.
Dy ditë më parë, në takimin e Konferencës së Ambasadorëve, Berisha u shpreh se “detyra më madhore për diplomacinë shqiptare është ndryshimi.
Kërkohet një ndryshim i thellë. Misionet tona diplomatike duhet të shndërrohen në misione të diplomacisë ekonomike.
Diplomacia ekonomike duhet të marrë përparësi dhe epërsi”. Kryeministri Berisha theksoi se 2008-a është vit i ndryshimeve të mëdha historike për kombin shqiptar dhe në gjithë këto arritje diplomatët shqiptarë janë një element cilësor i tyre.
“Ju duhet të konsideroni veten Task-Forcë. Ju duhet të krijoni Task-Forcën, të kryesuar nga ambasadori dhe duke përfshirë të gjithë stafin e ambasadës, duhet të keni një plan të qartë veprimi në veprimtarinë tuaj ekonomike”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, kjo nuk ka rëndësi sesi quhet, diplomaci ekonomike, diplomaci e tregut apo diplomaci tregtare. “Rëndësi ka që në rrymën kryesore të punës suaj, kjo duhet të përbëjë përparësinë më madhore”, vijoi ai.