BSH: Norma e interesit mbetet 6.25%

Vendimi i BSH-së u mor dje gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, pas analizës së bërë mbi situatën ekonomike që po kalon vendi.
Në një kohë kur bankat qendrore në botë kanë ulur interesat, si rrjedhojë e krizave financiare, BSH vendosi për të mos e ndryshuar atë, duke e lidhur me një sërë shkaqesh.
“Aktualisht Shqipëria nuk është e përfshirë nga kriza financiare dhe ka pak gjasa që kjo të ndodhë, ndërsa oferta monetare në ekonomi po ecën sipas parashikimit nga autoriteti monetar”, deklaroi dje Banka e Shqipërisë.
Politika e ndjekur nga guvernatori Ardian Fullani ka forcuar tej mase nivelin e interesave për kredi, duke ulur ritmin rritës të ofertës monetare.
Ekonomia
Shkaku kryesor i mbajtjes të pandryshuar të normës bazë të interesit ishte inflacioni, i cili në muajt e fundit ka pësuar rënie, në 2.7 për qind nga 4.6 për qind, niveli maksimal ky i arritur në tre muajt e parë të vitit 2008.
Sipas vlerësimit të bërë nga Këshilli Mbikëqyrës, vlera e inflacionit për muajin shtator u ndikua kryesisht nga rënia e çmimit të mallrave dhe shërbimeve të kategorive “ushqime të papërpunuara” dhe “mallra të administruara”.
Futja në treg e produkteve vendase zbuti nivelin e inflacionit, duke i dhënë mundësi në qetësimin e goditjeve nga kahu i ofertës.
Një tjetër arsye lidhet me qëndrueshmërinë makroekonomike në vend, i cili ndikoi në normalizimin e inflacionit brenda kufijve të objektivit.
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuar në garantimin e kushteve të përshtatshme monetare për të kontrolluar rritjen e çmimeve të konsumit brenda objektivit.
E thënë ndryshe, shtrëngimi i kushteve monetare, pra rritjes së interesave (kredi-depozita) dhe forcimi i normave të mbikëqyrjes bankare kanë ndihmuar në kontrollin e ritmeve të kredisë dhe të ekspansionit monetar, duke kontribuar direkt në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në konsolidimin e stabilitetit financiar.
“Nëpërmjet sinjalizimit të vullnetit institucional të bankës qendrore për respektimin e objektivit të saj ligjor, këto masa kanë ndihmuar në ruajtjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare dhe në sistemin financiar, si dhe në ankorimin e pritjeve inflacioniste në nivele të ulëta”, vlerëson nga ana tjetër kreu i Këshillit Mbikëqyrës, Ardian Fullani.
Interesat
Normat e interesit në tregun bankar kanë qenë të luhatshme, me një prirje rritëse që u theksua në periudhën e llogaritjes së detyrimit të rezervës pranë BSH-së.
Megjithatë, këto ndryshime të shpeshta të interesave nuk janë reflektuar në tregun primar të bonove.
Ndërkaq, interesat për depozita në lekë dhe në euro kanë vijuar të rriten pas prezantimit të ofertave tërheqëse verore.
Njëkohësisht, normat mesatare për kredinë në lekë dhe atë në valutë kanë pësuar rritje. Situata aktuale reflektohet edhe në ecurinë e parashikuar të inflacionit, i cili, në 12 muajt e ardhshëm, do të luhatet rreth objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se mbajtja e pandryshuar e normës bazë të interesit me 6.25 për qind do të ndihmojë në kontrollin e inflacionit brenda parametrave të synuar (±3 për qind), duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik dhe financiar të vendit.
Sektorët
Gjatë tremujorit të dytë, sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në ekonominë e vendit, regjistruan rritje të aktivitetit ekonomik krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ecuria pozitive gjykohet nga BSH-ja të jetë nxitur nga kërkesa e lartë e konsumatorëve në ekonomi.
Si zakonisht, kontributin kryesor në shifrën e realizuar të afarizmit ka vijuar ta japë sektori i shërbimeve (bankat dhe telekomunikacion), ndërkohë që në aktivitetin prodhues kontribuuesi kryesor mbetet ndërtimi.