Xhons: Uithers përfaqëson qëndrimin e SHBA

Sqarimi i bërë dje nga zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, mësohet se është bërë nga disa qëndrime të Tiranës zyrtare, në lidhje me deklaratat e ambasadorit Uithers.
Ndërkaq, mësohet se ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, i ka dërguar një letër Departamentit të Shtetit, ku ka kërkuar sqarime në lidhje me qëndrimet e diplomatit kryesor të Uashingtonit në Shqipëri.
Këtë qëndrim, zyrtar i lartë i SHBA, ia ka bërë të ditur gjatë një takimi edhe kreut të PS-së, Edi Rama.
Berisha
Gjatë takimit me Xhons, Kryeministri theksoi se ratifikimi në Senat dhe firmosja nga Presidenti Bush i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO përbëjnë ngjarjen më kulmore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, që nga njohja e pavarësisë së Kosovës nga SHBA.
Më tej, ai theksoi se ngjarje madhore për vitin e ardhshëm janë zgjedhjet e përgjithshme dhe se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka është e mundur për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, në mënyrë që vendi të shkëputet përfundimisht nga tradita e diskutimit për cilësinë e zgjedhjeve.
Kryeministri siguroi se qeveria po përgatit regjistrin dixhital të shtetasve, kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike.
Rama
Gjatë takimit me kreun e PS-së, Edi Rama, Xhons u shpreh se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO kërkon thellimin dhe forcimin e reformave politike dhe ekonomike, duke nënvizuar faktin se ky proces i rëndësishëm angazhimesh nuk përfundon me nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit.
Lidhur me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit theksoi se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin zgjedhje të suksesshme, të lira dhe demokratike.
Duke u ndalur në reformat kryesore, bashkëbiseduesit vlerësuan reciprokisht ecurinë e deritanishme të reformës zgjedhore, ndërsa lidhur me reformën në drejtësi u vlerësua se respektimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë është një kusht i domosdoshëm që garanton funksionimin e demokracisë.
Ambasadorët
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, theksoi para të gjithë ambasadorëve të Shqipërisë në botë, vizionin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën në rajon dhe marrëdhëniet me Shqipërinë. Xhons, duke u ndalur te Shqipëria, vlerësoi progresin dhe reformat e bëra në shumë fusha, gjë që, sipas tij, sollën dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Xhons përmendi në veçanti raportin e fundit të Bankës Botërore ku Shqipëria renditet e dyta për reformat e ndërmarra.
Duke folur për Kosovën, zyrtari amerikan tha se ka progres në zhvillimet atje dhe çmoi se numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë është i konsiderueshëm, duke u shprehur optimist se ky numër do të rritet ndjeshëm në të ardhmen.
Pasi bëri një prezantim të situatës në Evropën Juglindore dhe pikëpamjes amerikane për këto zhvillime, Xhons iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të ambasadorëve shqiptarë për çështje aktuale të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.