E Diel, 1 Nëntor 2026

Alfons Balliçi: Në krijimtarinë muzikore mungon melodia dhe ngjyrat shqiptare

Kompozitori pohon se aty ku nuk ka melodi, nuk ka as muzikë 

Është cilësuar si mjeshtri i muzikës shqiptare, i cili për kontributin e tij në muzikë është nderuar dhe vlerësuar me shumë çmime dhe tituj, duke merituar dhe titullin Artist i Merituar. Kompozitori i njohur Alfons Balliçi, i cili në vitin 1968 u ngjit për herë të parë në skenën e festivalit vazhdon edhe sot të jetë aktiv në fushën e muzikës. Dekada të tëra me krijimtarinë muzikore, ai pohon se sot krijimtaria shqiptare has shumë probleme dhe vështirësi në zhvillimin e saj.

 Mjeshtri i muzikës, në këtë intervistë tregon se kënga duhet të tingëllojë shqiptare. Kompozitori i suksesshëm i shumë këngëve popullore dhe të muzikës së lehtë shqiptare, orkestruesi i një numri të madh këngësh dhe veprave muzikore, ashtu si çdo artist profesionit e shqetëson plagjiatura në krijimtarinë shqiptare. E ndërkohë që në vijim të aktivitetit të tij, para disa kohësh ai solli për publikun koncertin Një lulishte me trëndafila, i cili i ndërtuar nga pentagramet e artistit të njohur Alfons Balliçi solli një atmosferë të ngrohtë në skenë. Me dekada të tëra krijues muzike, krijimtaria e kompozitorit Balliçi është e larmishme, duke filluar nga këngët popullore të përpunuara, këngë të muzikës së lehtë dhe pjesë instrumentale. Dirigjent i trupës profesioniste të Estradës Elbasan dhe i dhjetëra festivaleve të muzikës së lehtë dhe popullore po në Elbasan. Alfons Balliçi u mor seriozisht me muzikantin e ndritur të traditës së Elbasanit usta Isuf Myzyrin. Alfons Balliçi kompozitor, instrumentist dhe dirigjent (Artist i Merituar), tashmë i ka kaluar kufijtë e qytetit të tij të lindjes Elbasan. Si kompozitor me krijimet e tij ka marrë pjesë në Festivalet e Këngës në Radio Televizion, Kur vjen pranvera, anketat muzikore, Koncertet e Majit, festivalet e muzikës popullore, festivalet e fëmijëve. Në këtë intervistë ai na tregon se aty ku nuk ka melodi, nuk ka as muzikë.

-Jeni një emër i njohur në krijimtarinë muzikore pasi keni vite që kompozoni, por si e shikoni sot tregun muzikor në vendin tonë dhe sipas jush sa hapësirë gjen krijimtaria e pastër shqiptare në këtë treg?
Unë mendoj se krahas arritjeve të krijimeve të reja kryesisht të kompozitorëve të rinj, arritje të cilat janë pasqyruar nëpërmjet krijimtarisë së tyre ka dhe defiçite të mëdha, kështu që ka mangësi në krijimtarinë muzikore. Është ai parimi thelbësor që unë mbështes dhe që jam i bindur, që aty ku nuk ka melodi nuk ka dhe muzikë. Në të tilla në shumë krijime muzikore që ne dëgjojmë këto kohë të krijuesve apo kompozitorëve të rinj, ajo që vihet re është se mungon melodia. Së paku melodia duhet të jetë por ajo mungon, aq më tepër nëse ne do të pretendojmë që ajo të ketë ngjyrat shqiptare, por ajo mungon. Nëse ajo do të ketë ngjyrat shqiptare duhet të krijojë emocione shqiptare, por kjo nuk është. Kur dëgjojmë në radio një këngë, pa e ditur, pa u thelluar në tekst, ose e dëgjojmë si melodi, ne menjëherë ne themi se kjo është greke, kjo është italiane, angleze etj, ndërsa kur dëgjojmë këto krijime të tjera muzikore, pa fjalë por vetëm thjesht si vijë melodike nuk jemi në gjendje të themi se këto janë shqiptare.

-Pse vjen kjo?
Kjo vjen sepse mungon elementi shqiptar, i cili supozon formën artistike dhe aq më tepër në përmbajtjen e tingujve, në strukturën e ndërtimit të tyre, por dhe në tingull dhe harmoninë përkatëse. Kështu janë disa gjëra, të cilat me të vërtetë brezi jonë i kompozitorëve të vjetër këto elementë i ka pasqyruar plotësisht dhe jo më kot kur dëgjuam dhe këngët e shekullit, edhe pse të përpunuara ne menjëherë krijuam nostalgji. Nuk është ajo që ne jemi mësuar ti dëgjojmë ato këngë, por brezi im ato këngë përqafon më shumë, por dhe të rinjtë i pëlqejnë ato këngë, kështu që të gjithë i përqafojnë dhe i dëgjojnë. Pra jo vetëm që nuk mungon elementi shqiptar tek këto krijime, por mbi të gjitha është spikatur gjuha unike dhe aq më tepër melodia, struktura e ndërtimit të tyre, struktura e tingujve, duke filluar me ritmikën etj, pra kjo është mangësia për mendimin tim në këngët e krijuesve të rinj. Ato kanë këto deficite, këto mangësi që unë i përmenda pak më sipër.

-Si u përdor kjo liri, që erdhi për krijuesit sa i takon ruajtjes së vlerave ?
Nuk do të thotë se u krijua kjo hapësirë dhe kjo liri, dhe ashtu si thotë dhe populli që jo gjithçka që fluturon hahet, por kjo liri që erdhi nuk do të thotë të mos qëndrojë motivi shqiptar. Kjo hapësirë që u krijua, kjo liri nuk duhet të abuzohet me të, por me këtë liri duhet shpenzuar që këngën tonë ne ta bënim akoma më shqiptare dhe jo të abuzojmë me këtë drejtim.

-E ndërkohë që sot dëgjojmë këngë që janë më muzikë të kopjuar dhe sillen në krijimtarinë shqiptare, sipas jush sa e dëmton muzikën shqiptare?
Plagjiatura për mua në radhë të parë prish strukturën e këngës dhe kjo deformon gjuhën muzikore, që përbëhet nga shumë elementë dhe aq më tepër kur përdoret edhe vend e pavend për hir të asaj që ne i quajmë efekte të jashtme, gjoja për ta bërë sa më tërheqëse këngën. Të gjitha këto elementë e dëmtojnë këngën, dhe në këtë mënyrë i humbin edhe atë pikë kombëtare që do të kishte, apo gjuhë të karakterit kombëtar.

-I takoni një brezi kompozitorësh që keni marrë pjesë në festivale që në vitin 1968, por çfarë mendoni për ata kompozitorë që muzikën e huaj na e sjellin si krijim shqiptar?
Problemi qëndron se shumë kompozitorë të rinj nuk kanë njohuritë e duhura për traditën shqiptare. Nëse kompozitorët e rinj do të studiojnë dhe do të njihen, do të merren me grumbullimin dhe studimin e folklorit tonë kombëtar, të asaj baze nga jemi ushqyer të gjithë dhe nga duhet të ushqehen aq më tepër të rinjtë, kjo përbën një domosdoshmëri në formimin e tyre dhe ata do të bënin krijime me vlera. Kjo mungesë formimi e tyre si artisë sjell pikërisht nevojën që të huazojnë dhe të marrin ritme të tjera, por në këtë drejtim ndikon dhe ana komerciale, ku sa më shumë të shkruajmë këngë, sa më shumë të fusim efekte se ndoshta i pëlqen rinia, por duke harruar kryesoren që në vend ta edukojnë rininë ata sjelli të tilla krijime. Këtu po flasim për edukim shijes muzikore, por në fakt kjo stonon.

-Turbo-folku në syrin e kompozitorit Balliçi?
Unë personalisht jam kundra veshjes së këngëve të tabanit kombëtar, të trevave të caktuara, që kanë të bëjnë me një periudhë historike të caktuar, të cilës i kanë kënduar. Janë këngë që kanë lënë emocione në jetë, i kanë lënë emocione brezave të popullit dhe jo vetëm i kanë kënduar gëzimeve, por dhe halleve të tjera. Ti veshësh këto me ritme dhe ti bëjmë moderne, kjo nuk është e drejtë. Nuk mund të bësh moderne atë që nuk bëhet dot moderne, pasi modernizmi është një rrymë, e cila është më vete dhe fillon që në zanafillë, që nga ndërtimi, që nga muza që i vjen kompozitorit për ta shkruar. Nuk mund të marrim një gjë ekzistuese dhe ti fusim një ritëm dokudo dhe e quajmë të mbaruar këtë punë, mos të flasim më pas për tekstet. Unë të them të drejtën, e them me modesti që jam njohës shumë i mirë i këngës elbasanase, dhe në veçanti të asaj të Isuf Myzyrit. Shumë këngë të vjetra elbasanase, të cilat i kam grumbulluar para 50 vitesh që në rininë time dhe i kam tekste origjinale, unë i dëgjoj tani këto këngë dhe nuk arrij dot ta kuptoj, se për se duhet të ndryshosh fjalët në këngë, kujt i shërben kjo. Është një këngë e vjetër që thotë: tek çezmja e kishës, dhe tani e kanë bërë tek çezja e stanit, nuk e kuptoj se çfarë lidhje ka kisha me stanin?

-Si e shikoni sot krijimtarinë popullore?
Ka tentativa për ta stimuluar krijimtarinë popullore, por që të krijosh një këngë popullore të bukur, kjo kërkon një formim profesional nga kompozitorët. Këngë popullore kërkon një kompozitor të kompletuar, që do të thotë të njohësh mirë folklorin muzikore, të jesh marrë me të dhe në këtë mënyrë krijuesi akumulon lëndën përkatëse të trevave dhe at

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›