Kallëzim penal kundër eksploatuesëve të rërës në Xërxë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ushtruar kallëzim penal kundër NTP “Vëllezërit Morina”, eksploatues të rërës dhe zhavorrit nga fshati Xërxë i Komunës së Rahovecit, transmeton PrizrenPress
Gjatë inspektimeve rutinore nga inspektorët e MMPH është konkluduar se operatori nuk ka zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me eksploatimin, seperimin e rërës dhe zhavorrit në lumenjtë dhe hapësirat përreth lumenjve në gjithë territorin e Kosovës.
“Gjatë vizitës inspektuese, ku të pranishëm ishin edhe inspektorët nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, është kuptuar se operatori nuk posedonte licencën e punës nga KPMM. Për më tepër, kishte refuzuar të japë informacion se nga ku është duke e marrë rërën të cilën më pas e përpunonte në seperatorin e tij.
Sipas inspektorëve nga MMPH ky operator përveç që aktivitetin e tij e ushtron në mënyrë ilegale, pa licencë nga MMPH dhe KPMM, gjithashtu ka shkaktuar edhe degradim të resurseve natyrore të Kosovës.
Ministria e Mjedisit u bën thirrje të gjithë operatorëve se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me eksploatimin, seperimin e rërës dhe zhavorrit në lumenjtë dhe hapësirat përreth lumenjve në gjithë territorin e Kosovës dhe që ndalon degradimin e pariparueshëm të shtretërve dhe brigjeve të lumenjve është në fuqi. Secili operator që nuk posedon licencë nga KPMM dhe MMPH konsiderohet ilegal dhe ndaj tyre do të iniciohen kallëzime penale”, njofton MMPH./Indeksonline/