Protestohet kundër mbylljes së institucioneve parashkollore

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me prindërit e nxënësve dhe edukatorët e institucioneve parashkollore “Mollëkuqet 1” dhe “Mollëkuqet 2” kanë organizuar të enjtën një protestë pranë selisë së Shtëpisë së Bardhë në Prizren. Ata kanë kërkuar që të dy institucionet të përkrahen nga Komuna e Prizrenit.
Koordinatori i KDI-së, Naim Cahanaj, tha se kohë me parë ka organizuar takim me edukatorët dhe prindërit e nxënësve që vijojnë mesmin në këto dy institucione parashkollore dhe është njoftuar me problematikën e funksionimit të qendrave pa përkrahjen e Komunës.
“Edhe pse në bazë të marrëveshjes në mes donatorit të jashtëm dhe Komunës neni 3 pika 8 ndër të tjera thuhet se nga viti i 4 (katërt) edukatorët do të futen në listën e pagave në komunë” andaj kjo e fundit ishte e obliguar që të vazhdojë me funksionimin e tyre”, tha Cahanaj.
Sipas tij, si hapë i parë që është ndërmarrë ishte organizimi i një peticioni “për një shkollim më të mirë për fëmijët tanë dhe për të drejtën e tre për tu shkolluar”, drejtuar Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe Kryetarit të Komunës së Prizrenit.
“Nga ana e KDI-se, peticioni me mbi 500 nënshkrime i është drejtuar institucioneve të vetëqeverisjes lokale me datë 19 mars 2013, mirëpo deri më tani nuk janë parë shenja që kjo iniciativë të shqyrtohet nga ana e Kuvendit të Komunës edhe përkundër asaj që në bazë të rregullores për Transparencë Komunale, Kuvendi është i obliguar që brenda 45 ditëve të prezantojë peticionin në KPF dhe Kuvendë dhe brenda 60 ditëve duhet të merret vendim mbi peticionin”, tha Cahanaj.
Duke parë këtë neglizhencë dhe injorim të mbi 500 nënshkrimeve, Cahanaj tha se KDI në bashkëpunim me prindërit e nxënësve dhe edukatorët e dy qendrave parashkollore ka vendosë që në shenjë proteste si mjeti më demokratik të kërkojnë nga institucionet që të merret një vendim meritorë për dy qendrat e parashkollorëve dhe mos të lejohet që këto dy qendra të mbyllen për shkak të neglizhencës së institucioneve tona.
“Në takim me Kryetarin e Komunës së Prizrenit dhe Drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, janë shprehë këto brenga mirëpo nga ana e tyre janë kundërshtuar duke lënë hapësirë që këto dy qendra të parashkollorëve të shkojnë drejt mbylljes”, tregoi Cahanaj.
Prindërit e nxënësve dhe edukatorët e institucioneve parashkollore, kanë kërkuar nga Komuna e Prizrenit që të marrin masa për të përkrahur këto institucione. Sipas tyre, Komuna e Prizrenit nuk duhet të lejojë që këto dy institucione të mbyllen./Indeksonline/