E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pillay e shqetësuar nga veprimet e OVL-UÇK-së dhe të disa deputetëve

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, zonja Navi Pillay deklaroi sot se pret që marrëveshja me Serbinë, të përmirësojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në Kosovë. Këto komente Pillay i bëri në përmbyllje të vizitës së saj në Kosovë.

Komisionerja për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillay ka qëndruar për dy ditë në Prishtinë. Ajo është takuar me autoritetet më të larta të Kosovës, me përfaqësuesit e gjyqësorit dhe Parlamentit, shoqëritë civile si dhe ka vizituar pakicat serbe ne komunën e Graqanicës dhe Fushë- Kosovës.

Në një konferencë përmbyllëse për media, Pillay duke folur për krimet e luftës tha se drejtësia nuk duhet të jetë e një anshme dhe krimet e luftës duhet të dënohen. Ajo tha se në Kosovë mungon një sistem i fuqishëm i drejtësisë për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve.

“Mungon sistemi i drejtësisë për të fituar besimin e viktimave dhe dëshmitarëve në mënyrë që ata të dëshmojnë rastet e korrupsionit, rastet e krimeve të luftës dhe krimeve të organizuara. Në këtë drejtim duhet të bashkëpunojmë edhe për fatin e të zhdukurve. Përpjekjet e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, që po pengojnë arrestimin e disa anëtarëve të UÇK-që kanë qenë të përfshirën në krime lufte. Të gjithë ata që kanë bërë krime duhet të dënohen sepse drejtësia vetëm për njërën anë nuk është produktive”, tha ajo.

Pillay është shprehur edhe kundër themelimit të ligjit për amnisti në Kosovë.

“Me standardet ndërkombëtare, dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare se dhënia e amnistisë është një shkelje e së drejtës ndërkombëtare veçanërisht park rime shumë të rënda, kjo po ashtu është e përcaktuar në statusin e Romës që përbënë edhe bazën për themelimin e gjykatës ndërkombëtare penale dhe një numër i madh i vendeve kanë nënshkruar këtë status. Ky është standardi dhe nuk duhet që të ketë një amnisti të përgjithshme, natyrisht se çdo qeveri mund të përcaktoj kushtet për dhënien e imuniteti për krimet e vogla, ky është qëndrimi jonë dhe ne avokojmë për këtë sa i përket vendeve të cilat kalojnë përmes procesit të drejtësisë tranzicionale”, theksoi ajo.

Ajo tha se reformat e ardhshme në fushën e administratës civile kanë nevojë për një koordinim të në mes të institucioneve ndërkombëtare dhe të vendit, duke marrë mbështetje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

Para ardhjes në Kosovë, Pillay ka qëndruar në Beograd ku është takuar me kryeministrin serb, Ivica Daçiq./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›