E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kallzimi penal i PS për Bashën, PD: Rama ushqen konfliktet

TIRANE-  PD e konsideron denoncimin që bëri PS në Prokurori ndaj z.Lulzim Basha, “si një vijim të politikës së vjetër të krijimit dhe ushqimit të konfliktit dhe përdorimit të viktimave njerëzore për marketing dhe fushatë. “Rama nuk e fsheh dot ankthin që ka përpara zgjedhjeve lokale”- thuhet në një njoftim për shtyp të Partisë Demokratike në përgjigje të kallëzimit penal që PS dorëzoi dje në prokurori për Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, Drejtorin e Policisë së Shtetit Hysni Burgaj si dhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Sajmir Mucaj.
Njoftimi u shpërnda mbrëmë nga zyra e shtypit e PD-së.

PS i akuzon tre titullarët si urdhërues të masakrës që ndodhi në 21 janar, ku humbën jetën 4 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Padia me firmat e 24 deputetëve u dorëzua dje nga deputeti Taulant Balla, i cili tha se “Grupi parlamentar i PSSH-së i ka vënë në dispozicion institucionit të prokurorisë edhe prova dhe dokumentet që vërtetojnë fajësinë e tre shtetasve të akuzuar për masakrën e 21 janarit”. Sipas padisë së dorëzuar dje, “rezulton se në 21 janar u qëlluan me armë zjarri rreth 12 protestues në shesh”.

Sipas PS-së, personat që janë plagosur me armë zjarri janë: Artes Dybeli, Erald Bisha, Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Ilia Qesku, Ilia Papa, Syrja Ahmetaj, Vehbi Shijaku etj, veç 4 viktimave. “Kallëzojmë si urdhërues të krimit ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, epror i drejtpërdrejtë i Gardës, pa urdhrin e të cilit në kushtet kur nuk paraqitej asnjë rrezik për jetën e tyre, gardistët nuk kishin se si të qëllonin”, thuhet në padinë e socialistëve. Sipas PS-së, edhe ndalimet, arrestimet dhe shoqërimet në komisariate janë bërë edhe me makina private dhe në disa raste nga persona të veshur civilë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›