Kalojnë Anglia dhe SHBA ikin Sllovenia e Algjeria
JOHANESBURG- Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë siguruar kalimin për në turin tjetër të Kupës së Botës, pas fitoreve 1-0 respektivisht ndaj Sllovenisë dhe Algjerisë. Takimet e grupit C kanë dhuruar emocione të shumta në harkun e 90 minutave, sidomos ajo mes SHBA-së e Algjerisë. Anglia e Fabio Kapelos e mbylli grupin në vend të dytë, megjithatë futbollistët britanikë kanë festuar si të “çmendur” në fund, duke parë se pas dy takimeve të para çdo gjë ishte bërë e vështirë për ta. Skuadrës ishullore i mjaftoi një gol i Zhermen Defo në minutën e 23-të për t’u kualifikuar, ndërkohë që dominimi i saj ka qenë absolut. Uejn Runi, Stiven Xherard e Zhermen Defo kanë shpërdoruar raste të panumërta, madje deri në kufijtë e të pabesueshmes. Në krahun tjetër, sllovenët nuk mundën të bëjnë dot realitet ëndrrën, megjithëse kishin nevojë vetëm për një pikë për të dalë nga grupi. Skuadra e Matjazh Kek ishte një nga surprizat e këtij Botërori, e megjithatë ndeshja e fundit dihej që do të ishte një mision shumë i vështirë për të. Ballkanasit rrezikuan dy herë në pjesën e dytë, por në të dy rastet mbrojtësit anglezë u treguan të kujdesshëm duke larguar topin.
Ndërkohë, ka qenë më shumë se emocionues përballja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Algjerisë. Dy skuadrat kanë luajtur hapur dhe kanë patur raste të shumta për të shënuar, por përpara portës futbollistët e tyre janë treguar naivë. Me Bill Klinton në tribunë, amerikanët kanë treguar se e meritonin plotësisht kalimin e grupit. Goli i fitores u shënua nga heroi i tyre Landon Donovan në minutën e parë shtesë, duke shuar shpresat e algjerianëve për një rezultat pozitiv. Por, në pjesën e parë SHBA-së iu mohua një tjetër gol i rregullt, i dyti pas atij me Slloveninë pak ditë më parë. Amerikanët nuk u dorëzuan deri në fund dhe krijuan një seri rastesh të pastra, por shtylla dhe portieri Bohli nuk i lejuan të shënonin më shpejt golin e avantazhit. Gjithsesi, goli i Donovan në minutën e fundit i dha skuadrës së Bob Bradlit një kualifikim më shumë se të merituar, madje duke lënë pas Anglinë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)