E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton largimin e Beqajt si nënkryetar komisioni

Megjithëse Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin e saj për konstatimin e papajtushmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqja me Kushtetutën, PS ka pranuar de-fakto këtë situatë të re dhe ka vendosur ta tërheqë deputetin e saj nga politika aktive në Parlament. Dje, me propozim të grupit parlamentar të PS, Kuvendi ka miratuar me konsensus zëvendësimin e deputetit Ilir Beqja në detyrën e nënkryetarit të komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese me deputetin tjetër Eduard Shalsi. Tashmë Beqja do të jetë vetëm anëtar i komisionit. Megjithëse shkaqet e kësaj lëvizje nuk janë bërë të ditura, ato mund të merren me mend lehtë pasi me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ai mund të bëhet objektiv i sulmeve dhe akuzave të kundërshtarit politik. Kështu, prej kohësh Beqja nuk ka marrë pjesë në diskutimet në seanca plenare, megjithëse nga vendi ka qenë shumë aktiv në opozitëbërje. Ndërkohë me këtë rast, Kuvendi ka bërë dhe një sërë lëvizjesh të tjera në komisione. Kështu grupi i PS-së përveç Eduard Shalsit që u emërua nënkryetar i komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, kanë kaluar si anëtarë edhe deputetët Arion Muçaj dhe Ndrec Dedaj. Nga ana tjetër edhe grupi parlamentar demokrat ka bërë një sërë lëvizjesh nëpër komisione, ku deputeti më i ri Ramiz Çoba do të emërohet anëtar i komisionit të Ligjeve, duke zëvendësuar Rajmonda Bulkun, që largohet për t’u bërë pjesë e komisionit të Integrimit. Çobaj gjithashtu është emëruar edhe anëtar i komisionit të Veprimtarisë Prodhuese në vend të deputetit Gëzim Dibra, i cili para pak kohësh u nda nga jeta. Kuvendi ka miratuar edhe largimin e Viktor Gumit si anëtar i komisionit të Integrimit, duke e lënë vetëm anëtar të komisionit të Ligjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›