Kalon për diskutim projektligji për dëshpërblimin
Autori i Lajmit: Suela TopiKuvendi, në bazë të kalendarit të miratuar të punimeve të tij, pritet të marrë sot në shqyrtim gjatë seancës plenare të pasdites projektligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politik të regjimit komunist”. Ky projektligj është diskutuar dhe miratuar më parë nga komisionet parlamentare të Ligjeve dhe Ekonomisë.Gjatë diskutimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, deputetët ranë dakord për heqjen e nenit 6-të të tij. Nisma ligjore e Qeverisë, synon të dëmshpërblejë kontigjentin më të ndjeshëm të ish-të persekutuarve politikë, si persona që kanë vuajtur drejtpërdrejt dënimin në burgjet komuniste.
Kriteret
P/ligji përcakton masën dhe kriteret që duhet të përmbushë personi për të përfituar dëmshpërblim. Ky dëmshpërblim, mund të kërkohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij. Nga ana teknike p/ligji jo vetëm synon të caktojë masën e dëmshpërblimit për familjarët e viktimave apo të dënuarve politikë, që kanë vuajtur heqje lirie për ditë izolimi të padrejta në burg, paraburgim apo internim, por edhe të caktojë një procedurë të qartë e transparente për të gjithë personat.
Transparenca
P/ligji do të zbatojë një skemë financiare dëmshpërblimi, që garanton një proces transparent dhe të mbikqyrur periodikisht, jo vetëm nga pushteti ekzekutiv, por dhe nga çdo qytetar apo grup interesi. Drafti parashikon që shpërndarja e dëmshpërblimit të kryhet nga Ministria e Financave, e cila, përmes fondeve buxhetore, do të bëjë shpërndarjen nëpërmjet llogarive bankare, në emër dhe për llogari të ish-të dënuarve politik.
Ky lajm është publikuar: 22/10/2007