Klasa politike të dënojë kirimet e komunizmit
Autori i Lajmit: Red.
Përfaqësues të shoqatave të ish të përndjekurve politikë i kërkuan dje klasës politike të Shqipërisë të dënojë krimet e komunizimit.Gjatë një konference shkencore të zhvilluar në Tiranë, oratorë të ndryshëm u shprehën se diktatura në Shqipëri ishte nga më të përgjakshmet në Europë, por viktimat e saj ende nuk janë integruar në shoqërinë shqiptare. Të pranishmit në këtë konferencë thanë se sfida kryesore në trajtimin e temave të diktaturës është rehabilitimi i viktimave të saj.Pjesëmarrësit në këtë konferencë ndoqën një seri kumtesash me statistika mbi krimet e diktaturës, dhe me dokumente nga proceset e parregullta gjyqësore, ku u dënuan me mijëra njerëz të ditur dhe të ndershëm, vetëm se ishin kundërshtarë të regjimit komunist. Një nga oratorët, Skënder Qendro, tha se “gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri u ekzekutuan me dhe pa gjyq mbi 6027 burra dhe gra, të burgosur politikë 16585, të vdekur në burgje 1605 dhe të sëmurë mendorë nga druri dhe kërbaçi 286”, ndërsa shtoi se me mijëra janë familjet e internuara.Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës u ka kërkuar të gjitha vendeve ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore që të dënojnë diktaturat dhe të ndihmojnë ish të përndjekurit politikë për t u integruar në shoqëritë e tyre.
Ky lajm është publikuar: 22/10/2007