Paga shtesë për mjekët me numrim më të madh të vizitave
Autori i Lajmit: Red.Ministria e Shëndetësisë, përmes një projekti, po punon për realizimin e shpërndarjes së personelit mjekësor në vend, një objektiv i cili do të zbatohet së shpejti duke llogaritur numrin e vizitave për banorë. Kjo nismë e këtij dikasteri, do të ndërmerret pasi numri i mjekëve në vendin tonë konsiderohet i ulët dhe me shpërndarje jo të drejtë për të mbuluar nevojat e popullsisë.Për t iu përgjigjur këtyre nevojave, sipas MSH, 3626 mjekët që numërohen aktualisht në të gjithë vendin (ose 115.7 mjekë për 100 mijë banorë), do të kenë të përcaktuar numrin e pacientëve që do të mbulojnë. Projekti i ministrisë synon motivimin e mjekëve me pagesa shtesë për vizitat që do të kryejnë.
Planifikimi
Nga analiza e MSH për shpërndarjen e mjekëve, rezulton se migrimi i brendshëm ka penguar shpërndarjen e mjekëve. Ky fenomen ka krijuar pengesa, si në zonat rurale ashtu edhe në qytete. Në zonat urbane mjekët duhet të përballen me një numër të madh pacientësh, ndërsa në fshat me një numër të madh fshatrash për të mbuluar me shërbime mjekësore. Duke u nisur nga këta tregues, sipas MSH, vendi ynë ka mungesë planifikimi, kryesisht për mjekët specialistë, ndërsa për mjekët e familjes shpërndarja është më e balancuar. Të dhënat e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Shëndetësisë tregojnë se shtatë vite më parë është vënë re një rritje numri të infermierëve dhe mamive, që janë diplomuar gjatë këtyre 7 viteve.
Shpërndarja
Ndërkaq për mjekët specialistë, MSH është duke vendosur dhe mënyrën e kontraktimit dhe të shpërndarjes së mjekëve specialistë. Ata që do të specializohen do të jenë përgjithësisht me kontrata nga rrethet, të cilat do të jenë të pakthyeshme për një periudhë kohore. Këto kontrata do të jenë 3-vjeçare dhe mjekët do të qëndrojnë në rrethin nga vijnë për periudhën e përcaktuar.Numri i përgjithshëm i personelit mjekësor në Shqipëri në raport me vendet e tjera të Bashkimit Europian është i ulët dhe ka një mbipopullim të kategorive të personelit shëndetësor në zonat urbane. Duke qënë se zhvillimi i personelit në një vend matet me raportin mjek-infermierë, në vendin tonë ka mangësi të numrit të infermierëve, duke patur raportin 1 mjek me 2.5 infermiere për 100 mijë banorë, sipas MSH. Raporti i mjekëve specialistë me mjekët e përgjithshëm nuk është korrekt, pasi numri i mjekëve pediatër, mjekëve të familjes dhe kirurgëve të përgjithshëm është i vogël.Nga të dhënat e MSH, rezulton se 3626 mjekë, 2039 mjekë të përgjithshëm, 216 kirurgë, 184 gjinekologë, 164 pediatër, 12746 infermierë dhe mami.
Ky lajm është publikuar: 22/10/2007