E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kalorës i Arteve dhe Letrave" për Cikon dhe Çashkun

Drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, z. Zhani Cikos, dhe Kujtim Çashkut, rektor i akademisë së filmit dhe multimedias "Marubi", u është dorëzuar urdhri "Kalorës i Arteve dhe Letrave" nga ambasadorja e Francës në Tiranë, znj. Maryse Daviet. Në emër të ministrit francez të Kulturës dhe Komunikimit, ky vlerësim shkon për ata që bëjnë të mundur përhapjen e kulturës dhe mendimit francez. "Shqiptar dhe europian, por gjithashtu francez në zemër, ju gjithmonë i keni dhënë krijimit francez, artit francez, pjesën e duhur në programacionet kulturore të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, që ju drejtoni. Ju gjithmonë keni kërkuar dhe mbështetur bashkëpunimin me ambasadën për vënien në skenë të operave, baleteve dhe koncerteve, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur francezë ose të dirigjuar nga mjeshtra francezë të njohur. Ndër të tjera do të përmendja operën ‘Faust‘ të kompozitorit Gounod, ‘Carmen‘ të Bizet, ‘Krijimin‘ të Karine Saporta, baletin ‘Coppelia‘, bashkëpunimin me skenat operistike franceze, ku spikat bashkëpunimi me operën e Marsejës. Në këtë kuadër shpresoj që vitin e ardhshëm, Opera e Tiranës të mirëpresë koreografin e njohur Angjelin Prelocaj", ishte motivimi me të cilin i është dhënë Urdhri, drejtorit të TOB-it, z. Zhani Cikos. I themeluar që më 2 maj të 1957-ës, Urdhri i Arteve dhe Letrave është një dekoratë nderi franceze, e cila, e menaxhuar nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit, vlerëson individët që dallohen nga kreativiteti i tyre në art dhe literaturë, ose për kontributin që ata kanë dhënë për zhvillimin e arteve dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›