Projekti kulturor është ndalur në qytetin e Durrësit
Në skenën e teatrit të Durrësit, një shfaqje italo-shqiptare ka folur në dy gjuhë për emigracionin. "Se io partissi" ("Nëse do të nisesha") vendos një paralele të ngjarjeve të ndodhura në qytetin italian të Abruzos në fillim të viteve 1900, kur banorët u nisën me ëndrrën e një jete më të mirë dhe realitetit shqiptar të viteve 1990. Shfaqja, e cila u shfaq për publikun durrsak në kuadrin e projektit të përbashkët "Ndërkultura-Teatri në Mesdhe", është realizuar me regjinë e Fabrizio Pompeit dhe Noemi Tiberio, e cila vdiq tragjikisht në tërmetin e 6 prillit të këtij viti në Aquila të Italisë. Aktoret italiane Monica di Bernardo, Sara Gagliarduçi dhe aktori shqiptar Aldo Spahiu sollën në dy gjuhë realitetin e bashkëjetesës, ku ndërthuren problemet dhe ndjenjat e brishta. Premiera e kësaj shfaqjeje është luajtur në nëntor të vitit të kaluar në teatrin "Sant‘Agostino" në kuadër të "Festivalit VII të kulturave", por edhe në Sinai të Kaljarit në Festivalin "Il Colore Rosa". Mbështetur në një histori reale të krimit dhe një drame mbi xhelozinë, shfaqja e dhënë para publikut durrsak është rezultat i dramatizimit të dokumenteve historike, kryesisht letra të familjes Servillio, fotografi të kohës dhe këngë popullore të rajonit, që i kushtohen emigrantëve dhe historive rreth tyre. Në sallë është dëgjuar edhe një këngë e këngëtares arbëreshe Silvana Licursi. Prania e aktorit shqiptar në këtë pjesë, Aldo Spahiut, ka përligjur fenomenin shqiptar të emigracionit në masë drejt vendit fqinj, e në rastin konkret drejt Abruzzo-s. "Bashkëpunimi artistik ndihmon jo vetëm në shkëmbimin e eksperiencave, por edhe ngritjen e një ure komunikimi dhe marrëdhëniesh historiko-kulturore midis qytetit të Aquila-s, që njihet si zona e tërmetit vitin e fundit, dhe Durrësit, bazuar dhe në situatat e emigrimit që kanë kaluar këto dy vende", është shprehur Spahiu. Një ekspozitë fotografike kushtuar emigracionit ka ngrirë në imazhe këtë fenomen. Rreth 30 fotografi përcjellin shtegtimin nga Abruzzo e fillimit të viteve 1900 dhe emigrimin e shqiptarëve në Itali në vitet 1990. Në program ishte parashikuar edhe një shfaqje tjetër teatrale, "Clownstorm", e cila kishte në qendër të saj figurën e një klouni, si i fundmi i të mbijetuarve të një bote ëndërrimtarësh që njerëzimi e shkatërroi me indiferencën e vet.
va.qy
va.qy