E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe vazhdon "traditën", zbor stërvitor me lojtarët e Superiores

Procesi i rinovimit të Kombëtares shqiptare ka filluar, por ashtu siç e ka pohuar edhe vetë Josip Kuzhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Trajneri vazhdon të ngulmojë se nga vëzhgimet në Kategorinë Superiore, nuk ka spikatur asnjë element, i cili mund të shihet si përforcim për ekipin kuqezi për eliminatoret e Euro 2012. Pavarësisht kësaj, Federata Shqiptare e Futbollit së bashku me kroatin 57-vjeçar kanë vendosur që të kalojnë në "sitë" lojtarët më të mirë të kampionatit. Ashtu siç ka ndodhur edhe me drejtuesit e mëparshëm të stolit të përfaqësueses, do të vazhdohet "tradita" e zboreve stërvitorë. Për afro një javë, një përzgjedhje nga futbollistët që militojnë në elitë do të stërviten nën drejtimin e Kuzhe. Grumbullimi do të bëhet në fillim të janarit 2010, ndërkohë që ende mbetet për t‘u përcaktuar lista me emrat e sportistëve që do të marrin pjesë. Lajmi është konfirmuar nga përgjegjësi i zyrës për shtyp në FSHF, Tritan Kokona, i cili tha: "Federata, së bashku me trajnerin, vendosën që në fillim të vitit 2010 të zhvillohet një zbor stërvitor në Turqi me lojtarët më të mirë të kampionatit. Më datë 3 ose 4 janar, në Antalia të Turqisë, Kuzhe do të ketë mundësi të vëzhgojë në stërvitje ata lojtarë, të cilët i kanë lënë mbresa nga vëzhgimet e ndeshjeve të Superiores. Për shtatë ose tetë ditë, të gjithë ata që do të përzgjidhen, kanë shansin të tregojnë cilësitë e tyre dhe të luftojnë për një vend në përfaqësuese".

Specifika e këtij zbori është e ndryshme nga ajo e viteve të mëparshme. Grumbullimet, që kanë nisur me gjermanin Hans Peter Brigel dhe kanë vazhduar me Oto Bariç dhe Ari Han, zhvilloheshin për të ndihmuar trajnerët që të evidentonin lojtarë, pasi ata nuk jetonin në Shqipëri dhe i ndiqnin pak zhvillimet në kampionat. Rasti Kuzhe është i veçantë: ish-tekniku i Dinamos së Zagrebit jo vetëm që është drejtuesi i parë i huaj i stolit që ka pranuar të punojë "full time", por ka edhe ide të qarta rreth lojtarëve të skuadrave kryesore dhe potencialit të tyre. Në konferencën e fundit për shtyp ai theksoi se dëshironte të punonte me Migen Memellin, golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar, apo të vëzhgonte në stërvitje talente të rinj si Bala, Çikalleshi e Roshi. Në Antalia ky pritet të jetë shansi i tyre, për të bindur trajnerin se e meritojnë një fanellë kuqezi gjatë eliminatoreve të Kampionatit Europian.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›