E Shtunë, 31 Tetor 2026

E gjatë Rruga e Paqes...

Rruga e kontingjentit IV paqeruajtës për në Bosnjë-Hercegovinë në fakt pati nisur me ceremoninë e bërë një ditë më parë, më datën 14 tetor në QKFA. Përshëndetja e komandantit të Komandës së Mbështetjes, gjeneral brigade, Xhemal Gjunkshi, dhe porositë e dhëna me këtë rast, por edhe angazhimi i marrë nga ana e komandantit të kontingjentit nënkolonel Ernest Peremçe në çastin e marrjes së flamurit, kafja që u organizua aty, ishin urimi i të gjithëve: Rrugë të mbarë dhe suksese!

...Në pikën e Hanit të Hotit në pjesën malazeze, na pret me gaz në buzë dhe me një shqipe të kulluar polici malazez me emrin Enver. Edhe ai na uron rrugë të mbarë. Pjesëtarët e kontingjentit kanë një entuziazëm të përmbajtur, buzëqeshin, aty-këtu bëjnë ndonjë shaka dhe ngacmim miqësor me njëri-tjetrin, por shikimet e tyre thellë-thellë janë të menduara. Mendja shkon patjetër larg në shtëpi, në Tiranë a gjetkë kudo që ata banojnë, te familjet dhe fëmijët e tyre. "Harrova diçka teksa kisha zbritur poshtë pallatit, thotë komandanti i kontingjentit, Peremçi. U ngjita me shpejtësi lart, kur gjej në sallon fëmijët e mi të përlotur. U fola ashpër duke u dhënë zemër, por thellë brenda vetes i justifikoja plotësisht. Kur po zbrisja rishtas, u pendova që u ngjita lart dhe i pashë fëmijët në atë gjendje. Më mirë të kisha dërguar dikë tjetër..." E kështu vazhdojnë bisedat, herë me zë të ulët, herë ndonjë barsoletë me zë të lartë. Por ata që "e mbajnë ndezur" bisedën vazhdimisht, janë dy shoferët e makinës, Edi Koleci dhe Sokol Harasani, të cilët edhe pse në pamje të parë duken sikur nuk e kuptojnë botën shpirtërore të kontingjentit, e dinë shumë mirë se çfarë ndjenjash përjetojnë ata. Të dy shoferët kanë eksperiencë, pasi nuk është hera e parë që shoqërojnë kontingjente. "Unë e kuptoj shumë mirë gjendjen e tyre, e di se si e përjetojnë ata largimin nga atdheu. Sa më shumë largohen prej tij, aq më shumë grumbullohet tek ata një lloj ngërçi shpirtëror. Kjo gjendje vazhdon tek ata edhe në ditët e para të misionit, derisa e ndiejnë veten "zotër të vendit" atje ku shkojnë dhe i përkushtohen detyrës", përfundon shoferi Eduard Koleci. Në pamje të parë shoferët duken njerëz të shkujdesur, njerëz "që thjesht dinë me i dhënë makinës". Por nuk është kështu. Përkundrazi, ata janë njerëz të rrahur me jetën dhe kanë mënyrën e tyre të perceptimit njerëzor të botës së tjetrit. Të gjitha këto që më thoshin shoferët e talentuar, pata rastin t‘i perceptoj e t‘i përjetoj gjatë 5 ditëve që qëndruam bashkë me ta në Butmir, në bazën e madhe të EUFOR-it...

Por le të vijmë aty ku ishim, te rruga, le të vijojmë atë. Vreshtat e pafundme që na shoqëronin gjatë gjithë rrugës për në Podgoricë në krahun e majtë dhe të djathtë të saj, mbarojnë disa qindra metra afër qendrës së qytetit. Për çudinë e atij që shkon për herë të parë atje, tamam në qendër të kryeqytetit malazez, në "rrethrrotullimin e madh", siç do të mund të shpreheshim në zhanrin tonë, është lënë një sipërfaqe prej rreth 1000 metra katrorësh me...hardhi të lidhura pas shtyllave, të cilat kushedi se qëkur janë aty. Kur kthen kokën pas njeriu, vëren se këto hardhi që shikon në qendër, janë vazhdim i atyre vreshtave që e kanë shoqëruar gjatë gjithë rrugës. Kushedi se ku e kanë pasur fundin, diku në thellësi apo në fund të qytetit, por ai që ka projektuar qendrën kryesore të Podgoricës, e ka parë me vend që pikërisht atje, të lerë si kujtim për brezat, simbolin e punës dhe të mundit të derdhur në shekuj, me mjetin kryesor të jetesës, vreshtarinë. Mrekullohesh dhe thua brenda vetes: Mos u kujtofshin dhe këta t‘i bëjnë pallate ato vreshta të pafundme afër qytetit, e pastaj të shesin "verë Lundre", si këtu, në Tiranë....

I shikon fytyrat e të gjithëve dhe mëdyshesh kur tenton të zhbirosh thellë në botën e tyre në atë rrugë të gjatë. Ndërkohë, kemi arritur përmes një rruge që përshkon maja malesh dhe gryka e hone, por edhe përmes 64 tunelesh, në pikëhyrjen e Bosnjës. Por aty gjithçka ndryshon, ndërron komplet klima, pasi na rrokin në qafë tre pjesëtarë të kontingjentit III, të cilët për pak ditë përfundojnë misionin. Kanë dalë në kufi të Bosnjës, për të pritur shokët e tyre. Një ngrohtësi kjo, që shkrin sa akullin e mendimeve, aq edhe dëborën, e cila në anë të rrugës është "sistemuar" në një metër lartësi. "Vendasit" ecin para nesh, por dy-tri herë krejt papritmas, frenojnë, ndalojnë dhe na "urdhërojnë" të dalim jashtë mikrobuzit, na godasin me topa dëbore në mënyrë të tillë që ne duam-s‘duam, t‘u përgjigjemi. E në fakt këtë bëjmë, pavarësisht se edhe me përtim, sa të drobitur nga rruga e gjatë, aq edhe nga mendimet që vërtiten në kokat e njerëzve. "Mos kini merak, për asgjë mos u shqetësoni, gjithçka do të shkojë si jo më mirë, keni për ta parë. Pasi përshkojmë 150 kilometrat e fundit, arrijmë në bazën e Butmirit. Një qytet i madh, i cili mbahet dhe funksionon me perfeksionin e një hyrjeje luksoze në një pallat të Tiranës, brenda së cilës jeton një amvisë e përkushtuar. Dhe të mendosh se këtu jetojnë, stërviten dhe shërbejnë rreth 3000 njerëz... Ky qytet, i ka të gjitha llojet e shërbimeve, qysh nga policia, administrata, veçse të gjithë me uniformë, në respekt reciprok...

Bosnja që jeton Ndërkohën...

Edhe pse "fati" na futi në të njëjtën hulli me Bosnjën sa i takon xhadesë europiane që kemi marrë, për hir të së vërtetës duhet thënë se edhe prej asaj ne jemi ende larg. Thuhet kjo sa i takon funksionimit të shtetit, e kryesisht mënyrës së ruajtjes me fanatizëm dhe mirëmbajtjes së pasurive natyrore, por edhe të veprave publike.

Bosnjë-Hercegovina përfaqëson sot ndoshta krijesën më tipike të Ballkanit, në semantikën më të plotë të të gjitha thënieve proverbiale dhe sentencave të mbetura në shekuj nga personalitete të cilat kanë lënë vulën e tyre për mirë dhe për keq në historinë e Gadishullit Ballkanik. Sarajeva është shembulli më shprehës i "martesës" së dy kulturave dhe qytetërimeve; atij osman dhe atij austriak, në të gjitha drejtimet, edhe në arkitekturë, edhe në mënyrën e jetesës, edhe në institucionet e kulteve. Për fat të keq, ndër gjërat e para që rrek syri i vizitorit aty, janë gjurmët (ende të hapura) të predhave të çdolloj kalibri nëpër muret e pallateve, në ballkonet e tyre, kudo, dhe mirë bëjnë që i lenë ashtu. Duhet të lihen ashtu, njëlloj si Kulla e Jasharajve në Prekaz. Sepse ato plagë që kanë marrë muret e Sarajevës, janë treguesi më i qartë i asaj se ç‘është në gjendje të bëjë mendja e njeriut(?!) kur është e indoktrinuar me botë shovene, është "vepra" që u vë kryq e i shumëzon me zero pretendimet për gjoja "qytetërim kombëtar" të ndonjë fqinji të saj. Tragjedia e Srebrenicës(e cila u krye në emër të boksideve), por edhe shumë të tjera janë të njohura tanimë nga i gjithë njerëzimi. Të gjitha këto "gjurmë prezantuese", të japin të gjallë konfliktin pa arsye si mallkim zanafillor dhe absurd të njeriut kundër njeriut, të popullit kundër popullit, të botës kundër botës.

Në një sipërfaqe prej 51.129 km2, jetuan, punuan, krijuan dhe ndërtuan, u deshën e u martuan, por edhe u ndërtherën jo rrallë tri etni kryesore, të cilat sot numërojnë 4.2 milionë banorë; boshnjakët me 48%, serbët me 37.1%, dhe kroatët me 14,3%, shoqëruar me to dhe referuar edhe besimeve të tyre fetare-myslimanë 40%, ortodoksë 31%, katolikë 15% e protestantë 4%, besime të cilat njëanshmërisht jo rrallë luajtën rol destruktiv.

E shtrirë në Europën Juglindore në Ballkan, Bosnjë-Hercegovina kufizohet në Veri dhe në Perëndim me Kroacinë, ndërsa në Lindje dhe në Jug me Serbinë dhe Malin e Zi përkatësisht.

Vend i pasur me hekur, bokside, zink e plumb, por edhe me pyje të pafundme, si dhe me rezerva ujore shumë të mëdha. Me një rrjet të fuqishëm hekurudhor të ndërtuar herët, nga të cilat 795 kilometra me trena elektrikë. Ky vend përbëhet nga dy republika dhe një krahinë autonome. Këto janë Republika federale Boshnjako-Kroate(Federacija i Hercegovina), Republika serbe e Bosnjës, si edhe krahina administrative e pavarur me emrin Brcko, e cila aktualisht ndodhet nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve. Marrëveshja e Dejtonit brenda këtij territori vendosi kufijtë dhe krijoi një qeveri shumëkombëshe demokratike, qeveri e cila ushtron pushtetin e saj kryesisht në realizimin e politikës së jashtme si edhe politikat ekonomike monetare. Zgjedhja e Presidentit të vendit, apo Presidenca siç quhet, realizohet me rrotacion, duke iu referuar të tri etnive e duke u ndërruar çdo 6 muaj. Të tre anëtarët e Presidencës zgjidhen një herë në katër vjet me votë direkt nga populli. Edhe pse një vend i pasur me burime minerare dhe natyrore, me 1021 kilometra hekurudhë, 22000 kilometra rrugë automobilistike, 32 aeroporte nga të cilat 14 të asfaltuara, sot konsiderohet njëri nga vendet më të varfra të rajonit, me papunësi që kalon shifrën 40% dhe me inflacion rreth 5%. Ky vend merr dhe konsumon ndihma të konsiderueshme humanitare, por edhe asistencë ekonomike nga vendet e zhvilluara. Për sa i takon sigurisë në këtë vend, garant i saj fillimisht u bë Misioni i NATO-s-SFOR-i, i cili në dhjetor të vitit 2004 u transformua në EUFOR, duke e transferuar këtë mision nën drejtimin e Bashkimit Europian. Pengesë kryesore në rrugën e pranimit të këtij vendi në PfP, është mosrealizimi nga strukturat politike i arrestimit të të akuzuarve për krime lufte. Kjo duket edhe në faktin që politika ekstremiste nuk ka lejuar bashkimin e dy forcave policore, të cilat janë të ndara sipas etnive. Madje, në luftën politike për pushtet kontrolli mbi policinë, konsiderohet mjet me vlerë dhe arritje madhore(?!?).

Janë 2000 km2 zonë e minuar, vazhdon procesi i çminimit, por kuptohet që do të duhen vite për të mbaruar. Ditën që u nis për në Atdhe Kontingjenti IV, më datën 20 tetor, në bazën e Butmirit u mbajt takimi i faktorëve të Bosnjë-Hercegovinës, nën drejtimin e zëvendëssekretarit të Shtetit të SHBA-së. Për fat të keq nuk mundëm ta ndjekim, pasi duhej të largoheshim. Gjithsesi, prapë nuk u arrit rezultat pozitiv, prandaj edhe për këtë arsye shkruajmë "E gjatë Rruga e Paqes"... Bota, dhe tanimë Europa po bëjnë të pamundurën që kjo zonë të mëkëmbet, të mundet të ecë, me këmbët e veta, të përparojë. Kalon në rrugët e Sarajevës dhe shikon rininë që ecën duke qeshur me një ironi të mllefët. Një vend me tokë të begatë që ende "prodhon" rënkime në vend të të korrave dhe pemëve. Akoma Bosnja endet mes motivit biblik, rrëfenjave të moçme dhe legjendave, duke ruajtur një mit të pastër "të paprekur"(të vjetrin dhe të riun). Të gjitha këto trajtohen tanimë si paradigma, si klishe kuptimore të mbyllura, si migrime asociative, të cilat krijojnë një kohë të tretë:-Ndërkohën. Risemantizimet e gjithëkahshme që vijnë prej viteve të situatës kaotike të ndërvetes- nga e djeshmja(e hidhur) tek e sotmja(pa shije të qartë), nga historia te bashkëkohësia, kanë çuar në përpëlitjen e dhimbshme që gjakon shpresë, për të (ri)gjetur identitetin e humbur...

Xhenier….

Para shumë vitesh, e paharruara Ledi Diana në një fushatë që kishte ndërmarrë për të grumbulluar ndihma për fëmijët e mbetur jetimë, por edhe për ata që ishin gjymtuar nga minat anembanë globit, i kishte cilësuar zonat e minuara si një...çmenduri të njerëzimit!. Atëherë unë mësova se ata që minojnë zona të caktuara, por që edhe i çminojnë ato, janë po të njëjtët; -xhenierët... Në këtë kuptim, xhenierët(dhe jo vetëm ata shqiptarë), kanë një profesion sa të "bekuar" në mbrojtje, aq edhe të "mallkuar" në invazion. S‘ke ç‘i bën, janë ligje të luftës dhe të mbrojtjes, e nga kjo nuk mund të bëhet përjashtim. Njëri nga xhenierët e mirë që kemi, më thoshte dikur se me trupat që drejtonte, kishte minuar zonat rreth tuneleve në një fshat afër Tiranës. Ishte urdhër. Edhe pse u vendosën tabela dhe u njoftuan njerëzit, e...pësuan dy-tri kafshë shtëpiake. Sepse ato nuk kuptonin, as nga njoftimet e pushtetit lokal, as nga tabelat e vendosura enkas. Po i njëjti komandant xhenier, pas një viti u urdhërua për të çminuar të njëjtën zonë që minoi. Por koha dhe erozioni kishin bërë të tyren, dhe u desh plot një javë për të...gjetur një minë që e kishte mbuluar thellë rrëshqitja e dheut... Ky rast më vinte ndërmend kur isha në Bosnjë dhe mësova se ai vend kishte jo pak, por.... 2000 km2 të minuara!!!

Pastaj nuk është e vështirë të mësosh rrezikun e këtij "zanati", nëse njeh faktin se 18 xhenierë shqiptarë kanë dhënë jetën për të "shkulur" nga toka rrezikun vdekjeprurës, që homologë të tyre të huaj por shovenë, kishin "mbjellë" në tokën e tyre. "Ligji" i Xhenios thotë që në dallim nga të gjitha specialitetet, xhenieri vetëm një herë "ka të drejtën" të gabojë. Rast i dytë nuk i "jepet". Përjashtime(si çdo ligj), edhe ka, por ato ngelen vetëm të tilla. Jetojnë për fat të mirë edhe pse të gjymtuar, major Sefedin Mekshi dhe major Arben Sopi, të cilët humbën njërën këmbë, por falë ndihmës së shtetit dhe ish-kolegut të tyre, Ben Brahja, që kishte një fondacion, shkuan në Kroaci për të rikuperuar aq sa mundej gjymtyrën e munguar...

Të gjitha këto kaloja ndërmend tek shikoja ushtarakët tanë në bazën e Butmirit duke u stërvitur në klasë dhe në poligon, teksa dëgjoja vlerësimet më të larta nga të gjitha autoritetet e bazës, nga të gjitha hallkat e komandimit, deri te gjeneral major Kastanioti.

...Major Luan Shaba, ish-komandanti i kontingjentit III në Bosnjë, i cili mbylli me sukses misionin në bazën e Butmirit, ka një eksperiencë të pasur në armën e xhenios. Në shumë vite shërbim që ka ai, ka shkelur të gjithë hartën e Shqipërisë, kudo ku ka qenë problemi për demontim dhe asgjësim të municioneve. Luani ka punuar në Tepelenë (pas aksidentit të Dhëmblanit), në Burrel, në Berat, në Elbasan, në Korçë, në Gjirokastër (për dy vjet), por edhe në Përmet. Ishte po ky xhenier që dha ndihmesën e pa kursyer edhe në rastin e Gërdecit. Është ndër të paktët, që i ka shpëtuar "rastit të vetëm" për të gabuar. Pra, ndërsa është nga xhenierët e mirë, përbën njëfarë "përjashtimi" sa i takon të "drejtës për të gabuar" .

Në gjashtë muajt që shërbeu në Bosnjë, komandanti ka shumë për të treguar. Jeta në bazë ka dinamikën e saj, një dinamikë që shumë pak kohë të le për të fiksuar. Ajo që komandanti e përmend shpesh, dhe thekson vazhdimisht, është: "Kemi punuar që të lemë gjurmë të mira, të jemi në rregull me detyrën, por edhe të krijojmë marrëdhënie të mira me kontingjentet e tjera". Ngjarjet kanë qenë të shumta, pasi kontingjenti shqiptar është i vetmi nënrepart në bazë që varet direkt nga komandanti i bazës, është ajo njësi që "pastron" vendin ku do të kalojë komandanti, vendin ku do të ulet helikopteri, e kështu me radhë.

Majori veçon nga të tjerat një rast: "Ishte ditë e diel, ora 16.30. Djemtë e kontingjentit tonë luanin futboll. Në bazë u dha alarmi dhe në zyrën tonë erdhi urdhri. Mbi 100 kilometra larg bazës, në "Lot House", një ndërtesë dykatëshe ku banonte një pjesë e kontingjentit gjerman që shërbente atje, ishte zbuluar një minë. Brenda 30 minutash, efektivi ishte rreshtuar me të gjitha pajisjet e duhura. Nga komanda na u tha qartë dhe prerë: -Në radhë të parë jeta juaj, bëni kujdes, të shikohet edhe mundësia nëse lihet deri nesër, pasi derisa të shkoni ju, do të jetë errësirë e plotë. Ne shkuam me maksimumin e shpejtësisë që na lejohej. Pamë kontingjentin gjerman që ishte tejet i shqetësuar, por jo më pak të tensionuar ishin banorët përreth. Edhe pse po errësohej, vendosëm të ndërhyjmë. Ishim të gjithë aty, njëlloj të vëmendshëm e të vendosur për të kryer detyrën. Në orën 19.15 mina ishte larguar dhe çaktivizuar. Ushtarakët gjermanë, por edhe banorët përreth u çliruan nga ankthi e na falënderuan. Po kështu, edhe të nesërmen na falënderoi komanda e bazës në të gjitha nivelet e saj. Dhjetë vitet që punoj pandërprerë në demontim dhe në asgjësim, na kanë dhënë mua dhe kolegëve të tjerë një eksperiencë të vyer. Të gjithë pjesëtarët e kontingjentit që unë drejtova këtu në Butmir, kanë qenë korrektë me detyrën, të përkushtuar e kryesisht të disiplinuar. Të gjithë kanë qenë seriozë, nga dita e parë deri tek e fundit"...

Dhuratat e shkëmbyera dhe respekti i mbetur...

Teksa shikoja vizitat që bënin ushtarakë të huaj në zyrën e misionit tonë me rastin e largimit të tij, kujtesa më çoi larg në kohë, vite më parë, kur isha në Athinë, korrespondent i njërës prej të përditshmeve më të mëdha të vendit tonë(asokohe). I pari atashe ushtarak i yni asokohe në Athinë, njëri prej ushtarakëve më dinjitozë të vendit, sa herë që vinte në Shqipëri, rrugën e parë e bënte në Krujë, pasi aty kishte "zbuluar" një depo, e cila ende ruante rezerva të konjakut dikur të mirënjohur në të gjithë botën, atij të markës "Skënderbeu". Atje blinte (po nga xhepi i vet) edhe suvenire të tjera, të cilat për reciprocitet e kryesisht për krenari kombëtare, duhej t‘ua dhuronte homologëve të tij në Athinë, në rastet kur ata e ftonin, por më së paku, në festat e tyre kombëtare...

Në Butmir, si kudo ku takohen, festojnë dhe ndahen njerëz, homologët e ushtarakëve tanë nga shumë shtete vinin për t‘u përshëndoshur me këta që mbaronin misionin e, siç është e natyrshme në kësi rastesh, sillnin edhe dhurata në zyrën e komandantit shqiptar. Edhe komandanti ynë, në shenjë nderimi për respektin, por edhe për reciprocitet dhe dinjitet, patjetër duhej t‘u kthente dhurata, sepse "huaja e qesh huan", thotë populli. Deri edhe komandanti i bazës, gjeneral Kastanioti, erdhi plot me dhurata te kontingjenti ynë. Edhe tanët, iu përgjigjën denjësisht me shumë dhurata, të cilat i kishin siguruar me shpenzimet e tyre, çka më bëri të ndihem keq që nuk mundesha të kontribuoja edhe unë. Ndër to, gjenerali veçoi shallin me flamurin tonë kombëtar, të cilin e vendosi në qafë, madje edhe pozoi me kënaqësi me të.

Për sa i takon Bosnjës, ne kemi fatin e mirë që një pjesë të lokaleve që përdorim na i ka falur një shtet mik, aleat strategjik i vendit tonë, Turqia. Kostoja e trupave tona atje, por dhe kudo qoftë, padyshim është e konsiderueshme, por gjithsesi, brenda kuotës së pranuar e planifikuar nga shteti ynë në kuadrin e detyrimeve të anëtarit të rregullt të NATO-s, si kontribuues në vendosjen e paqes në rajon dhe më gjerë. Megjithatë, ndoshta nuk do të ishte barrë e papërballueshme që një kuotë e caktuar (sado të mendohej), të caktohej në dispozicion të kontingjentit tonë atje dhe kudo ku kemi trupa, me qëllim që pa sforcime të përgjigjen denjësisht, ashtu siç është në nderin tonë dhe siç i takon reciprocitetit, kryesisht atij të ushtarakut. Po vijnë festat tona kombëtare më të rëndësishme; Dita e shpalljes së Pavarësisë, dhe Dita e çlirimit të Atdheut. Komanda e bazës së Butmirit (për çdo shtet, pa dallim), për festat e tyre kombëtare vendos një kuotë prej 700 eurosh. Duhet patjetër edhe një ndihmë nga ana e dikasterit apo e komandës, me qëllim që festat tona kombëtare të festohen në Bosnjë, në Afganistan, në Çad e kudo gjetkë, në çdo pikë të globit ku shërbejnë ushtarakët tanë në ruajtje të paqes, me dinjitetin që na takon të gjithëve. Ashtu siç nuk duhen harruar gjëra "të vogla", por që kanë rëndësinë e tyre. Kontrolli teknik i automjeteve që kemi në Butmir, është kryer vetëm para 18 muajsh. Por edhe flamuri ynë kombëtar që valëvitet në 4 pika të bazës, duhet ndërruar, pasi kushtet atmosferike bëjnë punën e tyre. Shumë shtete pjesëmarrëse në atë mision, kanë ngritur në pika të ndryshme të bazës kënde të vogla prej druri me një strehëz në të cilat reklamojnë vendet e tyre turistike. Janë gjëra që bëhen me pak shpenzime në krahasim me ato të mbajtjes së trupave atje, por që kanë rolin e tyre, shumëplanësh, mbi të gjitha, krenarinë kombëtare...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›