E Diel, 1 Nëntor 2026

Kledi Kadiu, ditari i balerinit në Bangladesh

SHKRUAN: Aida Tuci 08-06-2011 11:36

Balerini shqiptar Kledi Kadiu dhe regjisori italian Alesandro Tresa zbarkuan në Bangladesh, si pjesë e projektit “Unë jam si ty” i UNICEF -it. Përveç faktit se imazhi i UNICEF-it në këtë projekt ndihmash që zgjati 10 ditë, ishin dy artistë të suksesshëm, ata në fakt duket se kanë dhënë shpirtin e tyre bashkë me gjithë stafin e vullnetarëve që ndodheshin atje. Por Kledi Kadiu duket se ka edhe një hapësirë sekrete ku rrëfen eksperiencën e tij 10-ditore si vullnetar i UNICEF-it. Është ditari që ai shkruante çdo mbrëmje pas mijëra kilometrave që kishte përshkuar rrugëve të pashtruara në temperatura tejet të larta, në përfundim të misionit të tij vullnetar në Bangladesh. “Atje kuptova sesa me fat paskam qenë. Unë që jam lindur në Shqipëri, mendo sesi mund të ndiheshin ata që kanë lindur në Itali, Francë apo Gjermani”. Sipas statistikave të UNICEF-it, Bangaldeshi është vendi më i varfër dhe më i populluari në botë. Kledi bashkë regjisorin Tresa hipur në një Gip përshkonin kilometra të tërë për të sjellë pak lumturi në fytyrat e trishtuara të fëmijëve. Në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka, janë me qindra shkolla që mbledhin fëmijët e rrugëve për t’iu mësuar shkrim dhe lexim, ku u jepet edhe një vakt për të ngrënë dhe kanë gratis vizitat mjekësore, pjesë këto të projektit të UNICEF. Në një nga këto shkolla Kledi Kadiu kërceu bashkë më fëmijët dhe kur duhej të largohej fëmijët e kapnin nga duart dhe nuk e lëshonin. Ata donin që ta kishin balerinin shqiptar aty. “Ju siguroj se zemra ime rrihte fort tek shihja ata sy të trishtuar dhe fytyra të pafajshme që nuk donin që unë të largohesha. Nuk do t’i harroj kurrë. Mendoj se këtë eksperiencë duhet ta përqafojnë të gjithë për të kuptuar të vërtetat dhe rëndësinë e gjërave në jetën e tyre. Dhe i vetmi mendim që më kalon nëpër mendje gjatë qëndrimit tim këtu është: “sa me fat që jemi që kemi lindur dhe jemi rritur në një vend si yni apo në çdo shtet tjetër europian. Eksperienca që po kaloj dhe gjithçka që kam parë janë një realitet që nuk mund ta imagjinoja, ata janë vite drite larg nga jeta jonë. Gati 160 milionë popullsi, nga të cilët 63 000 000 janë fëmijë nga 0-18 vjeç, që jetojnë në rrugët e kryeqytetit Daka”- shkruan ndër të tjera në ditarin e tij balerini Kledi Kadiu. Pak më poshtë shkruan për takimin me fëmijët: “Ata na shoqërojnë gjatë udhëtimit tonë, në çdo fshat që ndalemi. Na mirëpresin në shtëpitë e tyre, na njohin me familjarët. Pjesa më e madhe jetojnë në hapësira të vogla, ku bashkë me ta nën të njëjtën çati jetojnë dhi dhe pula. E vetmja ndarje mes njerëzve dhe kafshëve është një mur prej bambuje. Më të mëdhenjtë shkojnë në shkollë në 9 të mëngjesit dhe kthehen në 15.00 të drekës, falë projektit të UNICEF-it në bashkëpunim me qeverinë bengaleze.”- shkruan balerini. E ndërkohë ai u mëson fëmijëve edhe të kërcejnë, thjesht dhe vetëm që ata të harrojnë për pak minuta e të gëzojnë bashkë me të në “pistën” prej rërë të kërcimit. “Të rinjtë e pranojnë ftesën për kërcim me kuriozitet dhe vëmendje, sepse është një art që përtej emocioneve mund të të mësojë sesi të jetosh. Kjo është ajo që unë kam menduar gjithmonë për kërcimin, që kur isha i ri, por gjëja më e rëndësishme është studimi. Vitet e shkollës edhe për mua kanë qenë shumë të rëndësishme jo vetëm për bagazhin teknik që unë mora atje, apo për sigurinë në skenë që fitova, por sepse shkolla më mësoi se impenjimi, sakrifica dhe këmbëngulja janë vlera të rëndësishme për të përballuar jetën dhe kjo nuk vlen vetëm për kërcimin”. Me pak fjalë, ky udhëtim është një eksperiencë që i ka vlejtur si mësim balerinit shqiptar, që tani po përgatitet për edicionin e dytë të programit “Step Passi di danza”: “Jam dhe moderator i programit dhe këtë vit nuk jemi përqendruar vetëm tek argëtimi. Në netët e ‘Step Passi di danza’ do të intervistojmë personazhe të rëndësishëm që kanë bërë historinë e kërcimit dhe kanë dhënë kontributin e tyre të pamohueshëm në artin e kërcimit. Do të realizohen kronika nga teatrot më të mëdhenj të Italisë në premierat botërore të baletit” - jep pak detaje nga edicioni i dytë i programit që identifikohet me balerinin shqiptar Kledi Kadiu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›