E Shtunë, 31 Tetor 2026

BDI synon kryetarin e parlamentit

Nga Express më 08 qershor 2011 në ora 11:21

BDI në kalkulimet për formimin e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE në tryezën e negociatave do të ketë kërkesën për të marrë postin e kryetarit të parlamentit.

Burime pranë kësaj partie bëjnë të ditur se nuk kanë filluar ende negociatat për qeverinë, por kërkesa për krye-parlamentarin si një nga tri postet kyçe në shtet do të jetë në tryezën e negociatave.

Nga fundi i javës pritet të fillojnë negociatat e para, ndërsa në tryezën e bisedimeve pritet të jenë krerët më të lartë të dy partive, Ali Ahmeti dhe Nikola Gruevski.

BDI gjithashtu siç bëhet e ditur pritet të kërkojë edhe dikastere më të rëndësishme ministrore.

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, ka deklaruar se është ende herët për kombinatorikë për qeverinë e ardhshme, pasi që sipas tij akoma nuk është mbyllur procesi zgjedhor.

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, ka mohuar tu përgjigjet pyetjeve lidhur me formimin e koalicionit qeveritar dhe ndarjes së pushtetit.

Qeveria e re do të duhet të formohet deri në fillim të muajit gusht, ndërsa konstituimi i përbërjes së re parlamentare do të bëhet më së voni deri më 25 qershor, ku më pas kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski do të marrë mandatin nga presidenti i vendit Gjorgje Ivanov për formimin e koalicionit qeveritar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›