Kaltrina me “Zero”
Këngëtarja Kaltrina Selimi edhe në këtë dimër do të na sjellë një hit të ri, për të cilin menaxheri i saj, Kushtrim Selimi beson që do të jetë një hit dimëror dhe do të ngrohë adhuruesit e këngëtares kosovare për netët festive.
Kaltrina nuk ka qenë edhe aq aktive viteve të fundit, sepse më shumë ka qenë e angazhuar nëpër koncerte të ndryshme nëpër diasporë, por edhe në Kosovë. Ndërkaq, për herë të fundit ajo ka qenë e angazhuar edhe në vokal të këngës për zgjedhje të Partisë Demokratike të Kosovës, “Së pari Kosova”.
“Pas këtyre angazhimeve jemi duke u përgatitur për një këngë të re, të cilën do ta lansojmë së shpejt edhe me video-klip”, ka thënë Kushtrimi.
Sipas tij, kjo këngë do të jetë një këngë ritmike, që nuk dallon shumë nga klipet e mëparshme të Selimit.
“Kënga do të quhet ‘Zero’ dhe është një këngë me ritëm elektro dhe nuk ndryshon shumë prej këngëve të tjera që Kaltrina ka punuar”.
Ai ka thënë se për momentin janë të koncentruar edhe nëpër programet e Vitit të Ri, kurse i pyetur për planet e Kaltrinës për Vitin 2011, Selimi thotë se ende nuk kanë bërë ndonjë gjë konkrete, por do të punojnë edhe në këtë aspekt.
“Për momentin jemi duke shikuar që të përfundojmë këto programet e Vitit të Ri, të cilat janë të shumta, por mandej do të shikojmë se si do të rrjedhin gjërat në të ardhmen”.
Ndërkaq, në lidhje me thashethemet se Kaltrina ka filluar që të bashkëjetojë me Dritonin, Kushtrimi ka thënë se thashetheme të këtilla nuk janë të vërteta, edhe pse Kaltrina e viziton shpesh në Londër atë.
“Nuk janë duke bashkëjetuar, por kur ka kohë ajo shkon dhe ia bën atij ndonjë vizitë në Londër, ku edhe jeton dhe vepron Dritoni”, ka thënë Kushtrimi.
Kaltrina Selimi këtyre viteve njihet si një këngëtare që nuk punon për të bërë albume, por më shumë merret me krijime të hiteve që e lënë atë “In” sidomos në diasporën shqiptare.
Ajo kishte zyrtarizuar fejesën e saj me Dritonin gjatë vitit të kaluar dhe deri tani thuhet se ata nuk kanë pasur ndonjë krizë, pavarësisht se jetojnë në distancë me njëri-tjetrin.
Kënga “Zero”, sipas Kushtrimit, do të jetë një këngë ashtu sikurse hitet e tjera “Hajt”, por Kaltrina është e njohur edhe për balada, sidomos për këngën e saj “Ditëlindja”, më të cilën mori pjesë në “Kënga Magjike 2010”.