E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton nxit nga Ankaraja kontaktet mes Izraelit e Sirisë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë vizitës në Turqi, nxiti kontaktet e paqes mes Izraelit e Sirisë, ndërkohë që dy zyrtarë të lartë amerikanë zhvilluan një vizitë të rrallë në Siri, në shenjë të përmirësimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit e Damaskut. Klinton, gjatë ndalesës në Ankara, përgëzoi Turqinë për ndërmjetësimin e bisedimeve jo të drejtpërdrejta mes Izraelit e Sirisë dhe bëri me dije se Presidenti Barak Obama do të vizitojë Turqinë muajin e ardhshëm, e para në botën myslimane.

Në një konferencë shtypi, Hillari Klinton tha se Uashingtoni nuk e kishte marrë ende vendimin për caktimin e një ambasadori të ri në Damask. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e tërhoqën të dërguarin diplomatik në vitin 2005, pas vrasjes së ish- kryeministrit libanez, Rafik al-Hariri. Duke përgëzuar rolin ndërmjetësues të Turqisë mes Sirisë dhe Izraelit, Klinton tha: "Rëndësia e kësaj rruge, e kësaj përpjekjeje në emër të paqes, nuk mund të mbetet pa u vlerësuar".

Siria e pezulloi zyrtarisht ndërmjetësimin turk vitin e shkuar gjatë pushtimit të Gazës nga ana e Izraelit, por zyrtarët sirianë nuk e kanë përjashtuar mundësinë e rinisjes së bisedimeve, edhe pse në Izrael, sot është në fuqi një qeveri e djathtë. Ministri i Jashtëm turk, Ali Babaçan, tha në konferencën e përbashkët për shtyp se Ankaraja ishte e gatshme të riniste ndërmjetësimin në rast se diçka e tillë kërkohej nga të dyja palët.

Marrëdhëniet mes Sirisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u prishën nën administratën "Bush" pas vrasjes së Kryeministrit libanez Hariri. Tensionet u ashpërsuan për shkak të mbështetjes nga ana e Damaskut të grupit palestinez Hamas dhe të lëvizjes libaneze Hezbollah, si dhe të akuzave që Siria lejoi infiltrimin në Irak të luftëtarëve islamikë dhe dyshimet për praninë e një programi të fshehtë nuklear - edhe ky i fundit i mohuar nga Damasku. Por Presidenti Barak Obama ka ndërmend të rishikojë politikën ndaj Sirisë dhe një shenjë e tillë erdhi me vizitën e djeshme të dy zyrtarëve të lartë amerikanë në Damask.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›