E Diel, 1 Nëntor 2026

Kam frikë se mund të më vrasin me dy plumba si Elenin

Yllka Shehaj

Lindita Çela

Që kur Eleni Basho u ekzekutua në prag të shtëpisë, 3 muaj më parë, një tjetër gruaje iu kthye jeta në skëterrë. Yllka Shehaj, vajza e përfolur si e përfshirë në një histori dashurie me Ilia Bashon, po jeton ditët më të ankthshme të saj. U akuzua si  gruaja për të cilën u urdhërua një vrasje, por tashmë frika për jetën ka përpirë dhe atë vetë. Ilia Basho është i lirë dhe jeton vetëm100 metra larg klinikës së saj. Yllka Shehaj është thuajse e traumatizuar. Ka frikë të flasë. Ka frikë të kërkojë mbrojtje. Maskohet për tu mos u vënë re tek ecën rrugëve të qytetit, por kjo kurrsesi nuk e mposht, as nuk e fsheh dot frikën se viktima e radhës mund të jetë pikërisht ajo.

Yllka i fshihet Ilia Bashos

Një djalë i ri me makinë interesohet të dijë vendndodhjen e saj. Pyet shitësen e dyqanit ngjitur e pasi merr një përgjigje të sigurt ikën i qetë. Duket se është një njeri i afërt i Yllka Shehajt, të cilën ka marrë përsipër ta ruajë në çdo moment. Yllka shfaqet pak më vonë në klinikën private ku punon nën shoqërinë e së ëmës. Në kokë mban një kapuç dhe zor se mund ta dallosh vajzën për të cilën është folur për muaj të tërë. Yllka duket se kontrollon çdo hap që hedh. Të paktën që kur Ilia Basho fitoi lirinë, ajo ka marrë disa masa për sigurinë e saj. Sot Yllka jeton nën panik. Të thotë se ka frikë edhe pse nuk pranon të japë shpjegime.

Lokali i saj nuk është as 100 metra larg shtëpisë së Ilias, personin të cilin prokuroria e akuzoi si porositës së vrasjes së bashkëshortes së tij, Elenit. Kam frikë. Askush nuk më garanton jetën. Edhe unë mund të përfundoj me dy plumba në zemër. Ku të drejtohem? Tek ajo polici, e cila bëri publike çdo të dhënë të hetimit? U sajuan ngjarje cilat më kanë shkatërruar jetën-shprehet Yllka, e cila ndihet e kërcënuar nga situata e krijuar.  Të them se sot unë kam frikë? Ja, po e them që kam frikë kur eci në rrugë, kur vij në dyqan. Kam frikë, por tek cili shtet të drejtohem-këto fjalë Yllka i lëshon nxitimthi dhe rezervohet të shprehë më tepër të dhëna. Vajza 28 vjeçare e quan veten viktimë të një historie miqësie. Ajo pranon miqësinë me familjen Basho, por shprehet se kurrë nuk ka qenë në dijeni të një krimi aq makabër.

Heshtja e familjes së Elenit

E, ndërsa Yllka nuk pranon të komentojë lirimin nga burgu të ish mikut të saj, po kaq hermetik tregohet edhe vëllai i Elenit, Vasil Dodi. Dyert e dritaret e shtëpisë së tij që ndan një oborr të përbashkët me Ilia Bashon janë të mbyllura. Duket se prej ditësh aty nuk banon kurrkush. I kontaktuar nëpërmjet telefonit Vasil Todi thotë se nuk ka asnjë koment për lirimin e ish kunatit të tij. Ju lutem, më lini të qetë në dhimbjen time-të thotë vëllai i Eleni Bashos, i pyetur mbi vendimin e gjykatës për lirimin e Ilia Bashos tij. Vasil Dodi nuk ka kërkesë tjetër veç gjetjes së autorëve që i ekzekutuan të motrën në pragun e shtëpisë. Dy ditë më parë Ilia Basho u rikthye aty ku u vra nëna e dy fëmijëve të tij, por tashmë i lirë.

Ilia Basho, i lirë për mungesë të provave

Ilia Basho, burri që u akuzua se organizoi vrasjen e së shoqes, Elenit më 2 shkurt të vitit 2012, ka rifituar lirinë.  Qëndron i mbyllur brenda vilës së tij e askujt nga personat që nuk janë të njohur për familjen nuk i përgjigjet. Tashmë ka rifituar atë çka i duhej. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën detyrim paraqitje për të duke e nxjerrë pas 3 muajsh qëndrimi në paraburgim. Prokuoria nuk arriti të gjente prova për akuzën. Jam një njeri i lirë, do të doja që si puna ime të mos i ndodhte dikujt tjetër. Mendoj se jam një qytetar model për Shqipërinë, që këtej e tutje ju lutem më lini ta pi këtë kafe dhe të vete tek fëmijët e mi. Vetëm kaq kërkoj. Ju lutem më lini në privatësinë time,- u shpreh Basho pas rifitimit të lirisë.

Vrasja

33-vjeçarja Eleni Basho, nënë e dy fëmijëve u ekzekutua me dy plumba në gjoks mbrëmjen e 2 shkurtit 2012, vetëm pak metra larg shtëpisë së saj në Shkozë të Tiranës. Bashkëshorti i saj, Ilia Basho u arrestua 25 ditë pas krimit të rëndë, si i dyshuar për organizimin e vrasjes së 36-vjeçares. Fillimisht prokuroria kërkoi që Basho të mbetet në burg, me pretendimin se ka prova gozhduese”, të cilat vërtetojnë që ai është organizatori i vrasjes së bashkëshortes së tij, Eleni. Basho u përfol se kishte një lidhje jashtëmartesore me të cilën i janë zbardhur edhe në media plot mesazhe dashurie, mes të cilëve edhe njëri që u përdor si provë nga prokuroria.

SMS-ja E DYSHIMTE E BASHOS

Më prit dhe pak, më prit deri më 15.12.2012 dhe ajo do të largohet nga skena, pa u bërë zhurmë dhe ti nuk do të kesh fare punë, e di unë sesi do ta rregulloj, ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do ti kthehen dhjetë të tilla mbrapsht. Unë o të marr o do vdes, prandaj kujdesu për fëmijët e mi, po su bë kjo që dua unë.

Dëshmia e Yllka Shehaj

Është e vërtetë që e njihja zonjën Eleni Basho, kam pasur marrëdhënie pune me të. E vërteta ime është se gjithçka që është thënë për mua në media nuk është e vërtetë dhe ka cenuar personalitetin tim, kjo më ka shokuar. Marrëdhëniet që kisha me familjen Basho ishin korrekte, familjare dhe pune – ka thënë Yllka Shehaj pak ditë pasi  u bë publike ekzistenca e një historie dashurie mes saj dhe  Ilia Bashos. E pyetur për  këtë marrëdhënien personale  Shehaj është përgjigjur se kishin marrëdhënie korrekte pune dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt me të. Për marrëdhënien e saj më Ilia Bashon, Yllka Shehaj ka thënë se ka pasur marrëdhënie miqësie dhe pune e asgjë tjetër. Duke ju referuar të dhënave se pak përpara se të vritej Eleni Basho ka qenë në klinikën e Yllka Shehaj, e pyetur rreth bisedës së këtij takimi ajo konfirmon se Eleni Basho ka qenë në klinikën e saj pak përpara se të vritej, por se ajo nuk është takuar personalisht me të. Shehaj pohon gjithashtu se Eleni Basho ka kontaktuar me nënën e saj me të cilën ka këmbyer porosi. Sipas Yllka Shehaj, pasi është ftuar për kafe zonja Basho nuk kishte pranuar për shkak se insistonte se do të takonte një person.

A është i pafajshëm Ilia Basho?!

Opinion nga Lindita Çela

Gjykata nuk gjeti asnjë provë që të fajësonte Ilia Bashon si organizator  të  ekzekutimit të bashkëshortes së tij mbrëmjen e 2 shkurtit. Prej së hënës, njeriu, akuzat ndaj të cilit irrituan tërë opinionin publik, gëzon lirinë. Ngjarja është arkivuar në radhën e dosjeve të krimeve të rënda të pazbardhura të Policisë së Tiranës. Pas vendimit të gjykatës, sot nuk ka asnjë të akuzuar për krimin makabër ndaj Eleni Bashos. Ndërkohë për vrasjen e një tjetër gruaje, po atë natë, Megi Jokiçi, nuk ka qoftë dhe një të dyshuar. E, askush nuk mban përgjegjësi, qoftë për krimet e rënda që ndodhin, qoftë dhe për ngritjen e akuzave që për 3 muaj turfulluan mendjen e çdo njeriu. Bashkëshorti që paguan vrasjen e nënës së fëmijëve të tij. Motivi: I marrosur pas një gruaje tjetër. Për muaj të tërë këtë pistë na e serviri policia e Tiranës, por gjykata nuk gjeti qoftë dhe një provë. Ndërkaq, një tjetër grua thotë se ka frikë nga pandehuri i liruar. Ajo paralajmëron se mund të jetë viktima e radhës, qoftë dhe për çka është thënë këto muaj në kurriz të saj. Drejtësia duhet të jetë e përgjegjshme kur ngre akuza, sidomos kur ky veprim është i parakohshëm, i mbështetur mbi supozime të policisë dhe jo mbi prova. Nxitimi i policisë për të shënjuar me gisht vrasësin, mund të shkaktojë vuajtje dhe drama të tjera për të afërmit e Elenit.

 <

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›