E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria u hap derën refugjatëve sirianëve

 

Refugjate siriane duke u larguar nga vendi i tyre

Dashamir Biçaku / Florenc Stafa

TIRANE- Shqipëria u jep strehë sirianëve. Sirianët e mbërritur në territorin shqiptar në rrugë të ndryshme dhe që do të kërkojnë azil e strehim në Shqipëri, nuk do të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës së tyre apo në vendet nga janë nisur në drejtim të Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur për Shekullin nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që thanë se nëpërmjet një rekomandimi UNHCR-ja i është kërkuar që shtetasit sirianë të mos kthehen në vendet e tyre të nisjes apo në drejtim të vendit të tyre nëse ata kërkojnë azil, apo strehim në vendin tonë. E njëjta gjë vlen, sipas burimeve të policisë, edhe për ata persona që janë shtetas të Republikës Arabe të Sirisë, të cilët kanë kërkuar dhe kanë aplikuar për azil dhe strehim në vendin tonë, por që iu është refuzuar nga autoritetet apo që janë në proces të refuzimit të dhënies së statusit të azilantit.

Edhe për këtë kategori është kërkuar që të mos riatdhesohen dhe të mos dëbohen me forcë në drejtim të vendit të tyre. Burimet thanë se UNHCR-ja, (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët), ka përgatitur një rekomandim të cilin ua ka shpërndarë shumë shteteve nëpërmjet të cilëve u kërkon që sirianët të mos kthehen mbrapsht me forcë për shkak të situatës së krijuar në këtë vend. Qysh nisja e protestave vitin e kaluar gjatë Pranverës Arabe të opozitës kundër qeverisë dhe presidentit Bashar Al Asad, gjendja në këtë vend konsiderohet e rrezikshme dhe e pasigurt për jetën e qytetarëve, sidomos atyre që janë opozitarë me regjimin. Tashmë gjendja në këtë vend nga situata e protestave ka kaluar në atë të një konflikti të armatosur mes qeverisë së presidentit Asad si dhe forcave të drejtuara nga opozita. Gjendja e krijuar për shkak të protestave që kanë vijuar prej një viti si dhe luftimeve të palëve, ka bërë që jeta e shumë civilëve të vihet në rrezik në shtetin e Sirisë. Ky mësohet se ka qenë konteksti i përafërt i argumentimit të dhënë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Sipas burimeve të Departamentit të Kufirit në Policinë e Shtetit, menjëherë pas mbërritjes së rekomandimit është shpërndarë një urdhër i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për Kufirin dhe Migracionin, Pëllumb Nako, i cili i vë në dijeni vartësit e tij në Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit. Nako iu kërkoi drejtorëve rajonalë që në të gjitha rastet, kërkesat për azil të këtyre personave të trajtoheshin sipas një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme lidhur me rastet e kërkesave për azil të shtetasve të huaj. Që nga nisja e shkresës deri më tani, mësohet se ende nuk ka pasur ndonjë sirian që ka kërkuar azil në vendin tonë.

Rusia, sulm Kosovës: Stërvit rebelët sirianë

Kosova është kthyer në një shtet të rrezikshëm që stërvit terroristë islamikë. Ka qenë ky një prej konkluzioneve të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e cila në një raport të sajin fliste se, rebelët sirianë po trajnoheshin në Kosovë dhe se po stërviteshin nga anëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po krijojnë në këtë vend një bazë ndërkombëtare për stërvitje të rebelëve dhe terroristëve. Shekulli on line ka qenë e para media shqiptare që ka raportuar mbi një lajm të tillë, i cili është botuar më datën 5 maj duke iu referuar mediave ndërkombëtare. Ndërkohë, dje gazeta Dnevni Avaz e Sarajevës, citonte reagimin rus, në të cilën theksohej: Vëmendjen tonë e tërheqin raportet e fundit të mediave mbi lidhjet e opozitës siriane dhe autoriteteve të së ashtuquajturës Republika e Kosovës. Kjo përfshin, jo vetëm shkëmbimin e përvojave për organizimin e lëvizjeve separatiste të drejtuara kundër regjimeve, por edhe stërvitjen e rebelëve të Sirisë në Kosovë. Sipas raportit të Moskës: Shndërrimi i Kosovës në bazë ndërkombëtare për stërvitjen e rebelëve për formacione të ndryshme të armatosura, mund të jetë faktor kryesor destabilizues në Ballkan. Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë vlerëson se: Qëllimet e stërvitjes se rebelëve sirianë në Kosovë janë në kundërshtim me përpjekjet e Kombeve të Bashkuara dhe të të deleguarit special të saj, Kofi Annan.

Ministrja kosovare e Integrimit: 

Ka pasur disa vizita nga përfaqësues të lëvizjeve opozitare, jo vetëm siriane, por edhe të vendeve të tjera, ku është bërë shkëmbim përvojash. UÇK-ja është guerilja më e suksesshme në historinë e re botërore dhe përvojat e saj qoftë në luftë për liri, qoftë në transformime të suksesshme mund të merren si leksione për të tjerët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›