Kryeministri Fatos Nano është takuar sot me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci. Në fillim të takimit, Kryeministri Nano ka shprehur vullnetin e Qeverisë Shqiptare për forcimin e b
Kryeministri Fatos Nano është takuar sot me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano ka shprehur vullnetin e Qeverisë Shqiptare për forcimin e bashkëpunimit midis Tiranës dhe Prishtinës, duke i shprehur Z.Daci rolin e rëndësishëm që zë Kosova në programin dhe axhendën e aktiviteteve të institucioneve të larta shtetërore shqiptare dhe hapat e ndërmarë në këtë drejtim.
Më tej, të dy personalitetet janë ndalur në situatën aktuale në Kosovë, ku janë diskutuar rrugët dhe hapat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e situatës.
Z.Nano ka shprehur mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për përmbushjen e standarteve për Kosovën dhe planin e zbatimit të tyre, si dhe hedhjen e hapave konkretë në rrugën e integrimit europian të Kosovës, duke thënë se terminali ynë i përbashkët është Brukseli. Kosova, së bashku me vendet e tjera të rajonit, duhet të gjejë rrugën e saj drejt Europës, tha Kryeministri Nano, në këtë takim.
Dy autoritetet kanë vënë në dukje kontributin dhe rolin e Kuvendit të Kosovës për marrjen e masave për përmbushjen e këtyre standarteve dhe krijimin e klimës së bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik, për shpërbërjen e strukturave paralele, si dhe për vazhdimin e dialogut dhe thellimin e privatizimit.
"Kuvendi i Kosovës është konsoliduar tashmë si forumi më i lartë përfaqësues, ku nëpërmjet paraqitjes së mendimeve, alternativave, objeksioneve inkurajohet konsolidimi i bazës institucionale, integrimi i të gjitha komuniteteve dhe ndërmarrja e nismave konkrete që u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Kosovës", tha Kryeministri Nano.
Më tej, Z.Nano dhe Z.Daci kanë ndarë të njëjtin qëndrim për thellimin dhe shtrirjen e mëtejshme të bashkëpunimit midis institucioneve shqiptare dhe kosovare. Për këtë është vlerësuar shkëmbimi i eksperiencës në fushën e legjislacionit, gjë që do të çojë përpara procesin e integrimit. Me mjaft interes shihet bashkëpunimi edhe nëpërmjet grupeve të punës dhe komisioneve parlamentare të Kuvendeve respektive.
Lidhur me nivelin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik mes të dy vendeve, Z.Nano ka nënvizuar në këtë drejtim si shumë të rëndësishëm nënshkrimin gjatë vitit 2003 të Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë dhe asaj për Mbrojtjen e Investimeve, hapja dhe pasurimi me shërbimin doganor i pikave kufitare etj. Kryeministri ka shprehur vullnetin dhe gadishmërinë e Qeverisë Shqiptare për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në të ardhmen.
Më tej, Z.Nano ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare për çështjet e mëdha me të cilat përballet Kosova, si një tregues i rëndësishëm i përgjegjshmërisë dhe aftësisë së udhëheqësve kosovarë për të drejtuar vendin e tyre drejt përmbushjes së standarteve perëndimore demokratike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës është shprehur se institucioni që ai drejton është i vendosur për të hartuar legjislacionin e nevojshëm për plotësimin e standarteve të demokracisë.
Z.Daci u shpreh se Kosova ofron shumë për qytetarët e saj, në mënyrë që ata të përmirësojnë jetën dhe standartet e tyre të jetesës. Ne, - tha ai, - nuk kemi dashur e nuk do të dëshirojmë dhunë e terror, por vetëm stabilitet, paqe e zhvillim për Kosovën, Shqipërinë dhe krejt rajonin.